Ish ministri i famshëm gjerman i financave, ish-president i Bundestagut dhe një ndër figurat më të rëndësishme në skenën politike të vendit, Wolfgang Schäuble, ndërroi jetë në moshën 81-vjeçare.
Ai ka mbajtur pozicione shumë të larta shtetërore, e siç kujton DW, ndaj tij është kryer edhe një atentat.
“Në këtë mënyrë, largohet një institucion i vërtet politik, një politikan me pasion, një person që me energji e përkushtim ka ushtruar detyrat e tij të shumta politike. Një njeri që nuk u përkul kurrë nga goditjet e rënda të fatit”, thuhet në shkrim.
Schäuble i CDU ka qenë deputet i Bundestagut pa ndërprerje që nga viti 1972. Ky është një rekord: në rreth 150 vjet të historisë kombëtare parlamentare, askush nuk e ka arritur këtë para tij. Një jetë pa politikë ishte e paimagjinueshme për të. I pyetur në një intervistë se si ndihej që kishte formësuar politikën në Bundestag për rreth gjysmë shekulli, ai dikur përgjigjej: “Kështu mund ta shihni se sa argëtuese mund të jetë politika”.
Dy pika kthese formësuan jetën politike dhe private të këtij burri nga Badeni: një tentativë vrasjeje në vitin 1990, e cila e detyroi atë të jetonte në karrocë invalidi që atëherë. Dhjetë vjet më vonë atij iu desh të hiqte dorë nga udhëheqja e partisë CDU dhe bashkë me të nga perspektiva për t’u bërë një ditë kancelar.
Nën kujdesin e tij si Ministër i Financave (nga viti 2009), kaloi paketa më e madhe ligjore e masave shtrënguese në historinë e Republikës Federale. Gjatë krizës së euros, ai u bë armik i shumë grekëve sepse vendosi disiplinë të rreptë kursimesh në vend. Wolfgang Schäuble mbeti një burim idesh, një vizionar politik konservator dhe burim frymëzimi edhe pas tërheqjes nga jeta politike.
Top Channel