Zjarri dëmtoi rëndë ndërtesën në Lushnjë/ Do të bëhen verifikime të strukturës! I plotësonte kushtet për evakuim dhe mbrojtjen nga flakët?

26/12/2023 20:09

Pas më shumë se 11 orësh lufte me flakët, qendra tregtare në Lushnjë tashmë është në dorë të ekspertëve.

Policia e Fierit ka ngritur një grup hetimor me inxhinierë ndërtimi, inxhinierë elektrikë, dhe zjarrfikës për të përcaktuar vatrën dhe shkakun e zjarrit si dhe për të përcaktuar qëndrueshmërinë e godinës.

Dyshimet paraprake nisur edhe nga dëshmitë e marra si dhe pamjet e kamerave të sigurisë thonë se zjarri ka nisur në katin e tretë të qendrës tregtare në magazinën e një dyqani këpucësh. Shkak dyshohet një shkëndijë elektrike pasi në një kolonë që ndodhej brenda kësaj magazine kalonin kabujt elektikë që mund të jenë përfshirë nga flakët e më pas të jenë përhapur në të gjithë godinën.

Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati për të lënduar. Por dëmet ekonomike janë të konsiderueshme që llogariten miliona euro.

Qendra dhe dy komplekset e banimit dhe pas 24 orësh vijojnë të cilësohen vendngjarje dhe në brendësi të tyre nuk lejohet të futet askush.

“Dola pa marrë ilaçet. Ishte e tmerrshme pamë nga dritaret si qanin njerëzit për ndihmë”, tha qytetari.

Për shkak të vatrës së zjarrit temperatura në objekt ishte shumë e lartë çka dyshohet se ka cenuar qëndrueshmërinë e beton-armës dhe strukturës metalike prandaj deri në një vlerësim të ekspertëve rreth 20 familje janë të pastreha. Prej mbrëmjes së kaluar ata janë strehuar tek të afërmit.

Grupi hetimor do të vlerësojë edhe nëse ky objekt i përmbushte kushtet për evakuim dhe mbrojtjen nga zjarri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA