Suedia një hap më afër anëtarësimit në NATO/ Komisioni parlamentar turk jep “dritë jeshile”

26/12/2023 18:00

Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit turk dha aprovimin e tij për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Protokolli i pranimit të Suedisë tani do të duhet të miratohet nga parlamenti, por nuk është caktuar një datë për votim dhe kreu i komisionit të punëve të jashtme u tha gazetarëve të mos prisnin që kjo të ndodhë shpejt.

Qëkur Suedia aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Turqia e ka vonuar vazhdimisht procesin, duke thënë se Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja duhet të plotësojnë kërkesat turke.

Si Suedia ashtu edhe Finlanda aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO, një proces që kërkon mbështetje unanime nga 31 shtetet anëtare të aleancës. Turqia fillimisht i bllokoi të dyja, dhe megjithëse që atëherë është hequr dorë nga Finlanda, duke i hapur rrugën atij vendi për t’u bashkuar me NATO-n në mars, Turqia ka vijuar me Suedinë.

Udhëheqës të shumtë të NATO-s kanë thënë se Suedia ka bërë gjithçka që është e nevojshme për t’u anëtarësuar dhe vonesat e përsëritura të Turqisë në miratimin e hyrjes së Suedisë kanë zemëruar anëtarët e tjerë të aleancës.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, përveç argumentit se Suedia duhet të godasë më shumë disidentët që vendi i tij i konsideron terroristë, e ka lidhur miratimin e pranimit të Suedisë me mosmarrëveshjet që Turqia ka me anëtarët e tjerë të NATO-s.

Nga Shtetet e Bashkuara, Turqia kërkon një paketë prej 20 miliardë dollarësh me avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan dhe komplete të përmirësuara për avionët që ajo tashmë i ka. Administrata Biden ka thënë se e mbështet shitjen, por anëtarët e Kongresit kanë kundërshtuar, duke përmendur të dhënat e Turqisë për të drejtat e njeriut dhe qëndrimin e saj ndaj Suedisë.

Erdogan ka vënë në dukje gjithashtu se vendimi për Suedinë i takon parlamentit turk, jo atij, megjithëse partia e tij dhe aleatët e saj politikë mbajnë një pjesë komanduese të votave që mund ta kalojnë lehtësisht kërkesën.

“Nëse ju keni Kongresin tuaj, unë kam Parlamentin tim”, u tha  Erdogan gazetarëve turq në komentet e publikuara më 8 dhjetor. “Ju thoni se do të hidhni një hap në çështjen e F-16 pasi të kaloni në Kongres. Kam edhe një Parlament”.

 Ai gjithashtu sugjeroi që të dyja çështjet të zgjidhen në të njëjtën kohë.

“Nëse ne jemi dy aleatë të NATO-s, atëherë bëni atë që duhet njëkohësisht, në solidaritet dhe Parlamenti ynë do të marrë vendimin e nevojshëm”, tha ai.

Erdogan është përpjekur gjithashtu të përdorë ofertën e Suedisë në NATO për të bërë presion ndaj Kanadasë, një tjetër anëtare e NATO-s, e cila ka vendosur kufizime të eksportit për pajisjet optike që Turqia përdor në dronët e saj.

“Për çështjen e kamerave të dronëve që donim prej tyre, Kanadaja po këmbëngul: Suedi, Suedi”, tha Erdogan.

Të martën, shumica e ligjvënësve në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit votuan në favor të kërkesës që do të thotë se ajo do të përcillet në parlament.

I vetmi anëtar tjetër i NATO-s që ende nuk ka dhënë aprovimin për pranimin e Suedisë është Hungaria, ndërsa zyrtarët hungarezë kanë thënë se do të ndjekin shembullin e Turqisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA