Në luftë me flakët! Arbitri-zjarrfikës tregon orët e vështira për të shpëtuar banorët: Tymi ta jep vdekjen…

26/12/2023 15:25

Pasditen e 25 dhjetorit, arbitri lushnjar Laver Alla, me profesion zjarrfikës, u thirr në detyrë për të shuar zjarrin në qendrën tregtare “Metropol”.

Ai rrëfen momentet e tmerrit kur u gjendën mes tymit.

“Nuk mund të përballohej ajo temperaturë. Ne u munduam, u afruam afër duke lagur shokët me tubën e ujit.  Zjarri kishte marrë përmasa të mëdha brenda dhe nuk mund të hyje dot edhe më thellë sepse zjarri po kalonte sipër”, tha zjarrfikësi.

Alla ishte mes zjarrfikësve që kërkuan ndihmë në spital por më pas u rikthye në luftë me flakët sërish.

“Ndenja nja 10 minuta në spital, bëra matjet e nevojshme dhe u riktheva përsëri. U pozicionova në hyrje të pallatit. Me kolegët e Beratit i kemi rënë çdo dere kati për t’u siguruar. Për fat të mirë nuk kishte asnjë njeri”, tregon ai.

Në një punë ku jeta është në fije të perit, zjarrfikësit i duhet të jetë gati për gjithçka por lodhja dhe rreziku harrohet kur ngjarje si ajo që ndodhi në Lushnjë përfundojnë pa viktima.

“Tymi ta jep vdekjen shumë avash dhe mund të mos e kuptosh. Kisha një shokun tim që nuk po e kuptonte, vetëm kur vari kokën. E kemi marrë me kolegët e tjerë dhe e kemi zbritur. Pas 1 ore më ndodhi edhe mua”, tha ai.

Ngjarje të tilla nxjerrin në pah dhe më të mirën e njeriut, solidaritetin që u shpreh nga shumë qytete të tjera nga ku u dërguan zjarrfikësit kolegë të cilët Laver Alla sot i falënderon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA