Masakroi gruan dhe fëmijët me thikë, dy më të vegjlit i mbyti/ Detaje nga vrasja e pesëfishtë, dokumenti tronditës që u gjet në banesë

26/12/2023 17:06

Detaje të rënda janë publikuar në media nga vrasja e pesëfishtë në Francë.

Policia franceze arrestoi një 33-vjeçar të dyshuar për vrasjen e gruas dhe katër fëmijëve të tij të moshave nga nëntë muajsh deri në 10 vjeç në banesën e tyre në Meaux, 40 km në veri-lindje të Parisit.

Prokurori Jean-Baptiste Bladier e përshkroi vendngjarjen një skenë dhune ekstreme kur policia arriti në vendngjarje, ndërsa banesa ishte mbuluar nga pellgje gjaku.

Fqinjët u thanë hetuesve se kishin dëgjuar britma gjatë orëve të para të ditës së Krishtlindjes.

Më pas fqinja kishte tentuar të komunikonte me familjen dhe kur pa qepenat e ulura, mendoi se diçka nuk shkonte. Ajo tha për mediat franceze se kishte gjetur gjak në dorezën e derës e para banesës dhe më pas thirri policinë, sipas BBC.

Policia gjurmoi të dyshuarin duke ndjekur pamjet e kamerave, dhe e arrestoi në shtëpinë e babait të tij në Sevran.

Bladier tha se i dyshuari ishte i njohur për policinë për shkak të një rasti të mëparshëm të dhunës në familje, edhe pse ai nuk kishte precedentë penalë.

Në vitin 2019, një muaj para lindjes së fëmijës së tretë të çiftit, i dyshuari sulmoi me thikë partneren e tij, sipas prokurorit.

Bladier tha se nëna dhe dy vajzat e saj më të mëdha të moshës 10 dhe 7 vjeç kishin një numër të madh plagësh me thikë.

Dy më të vegjlit, një djalë katër vjeç dhe një foshnjë nëntë muajshe, nuk kishin asnjë plagë të dukshme në trup dhe dyshohet se ishin mbytur. Ekzaminimet e tyre pas vdekjes do të bëhen të mërkurën, ndërsa ende nuk dihet motivi.

Fqinjët thanë se nëna 35-vjeçare ishte “e mirë dhe fliste me të gjithë”.

Një grua tha për autorin e dyshuar se ai ishte një njeri i qetë. Ajo tha se gruaja kishte folur për depresionin e burrit të saj pas humbjes së punës. Ajo shtoi se i dyshuari po merrte trajtim.

Pas sulmit në vitin 2019, nëna nuk ngriti akuza dhe çështja u pushua për shkak të shëndetit mendor të partnerit të saj në atë kohë.

Bladier tha se gjatë kontrollit të banesës, u gjetën dokumente që tregonin shtrimin në një spital psikiatrik në vitin 2017 dhe një recetë për qetësues.

Rajoni i Parisit është përballur me një seri vrasjesh fëmijësh, kur në fund të nëntorit, një burrë 41-vjeçar rrëfeu se kishte vrarë tre vajzat e tij, katër, 10 dhe 11 vjeç, dhe në fund u dorëzua në polici. Policia i gjeti ato të vdekura në shtëpinë e tij në qytetin e Alfortville, në periferi juglindore të kryeqytetit.

Ndërsa në tetor, një polic vrau tre vajzat e tij përpara se të vriste veten në shtëpinë e tij në Vemars në Val-d’Oise.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA