Ish-kryeministri Sali Berisha dërgoi avokatit e tiij në seancën në GJKKO për zëvendësimin e masës ndaj tij, ndërsa vetë në një konferencë për shtyp, tha se SPAK nuk ka guxuar ta marrë asnjëherë në pyetje.
“Në çdo seancë, në të cilën dosja kallp e organizatës kriminale në Skap ndaj Sali Berishës është shqyrtuar, unë kam dërguar përfaqësuesit e mi. Skap nuk ka guxuar tre vite, megjithëse ka pyetur dhjetëra e dhjetëra vetë, pronarë dhe zyrtarë që janë marrë me dosjen, nuk kanë guxuar një herë të vetme të pyesin Sali Berishën, ndonëse Kushtetuta e lejon plotësisht. Nuk kanë guxuar të pyesin njëherë të vetme Jamarbër Malltezin dhe nuk kanë gjetur një shkelje të vetme ligjore në asnjërin nga punonjësit dhe dokumentet që kanë firmosur ata. Asnjë”.
Unë dërgova avokatët për të thënë se unë nuk pranoj të jetoj në një shoqëri parashtetërore, tha Berisha, por gjithçka është antikushtetuese, shtoi ai.
“Por natyrisht nuk pranova vendimin që ishte antiligjor, antikushtetues, marrje e hapur e pushtetit të parlamentit. Pra, unë mbrojta Kushtetutën. Beteja është mes Kushtetutës dhe antikushtetutshmërinë. Pra, gjithçka është antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese, nuk po ndalem më se e kam bërë komentin për të. Përsëri, në këtë proces, unë i qëndroj asaj, nuk them se gjykata nuk ekziston, nuk them se prokuroria nuk ekziston dhe avoketërit e mi sot, jo vetëm që kanë paraqitur si kërkesë, por sot kanë dorëzuar dokumentin, vendimin me të cilin ish-kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si President i Republikës ka shkarkuar gjykatësen dhe i kërkuan asaj të japë dorëheqjen”.
Më herët, avokati Genc Gjokutaj tha se në mënyrë të paligjshme, është kërkuar që ndryshimi i masës të ish-kryeministrit të bëhet me mbikëqyrje policore.
Vetë Berisha tha se “as një batalion nuk e ndal”.
“Por fakti është se gjithçka zhvillohet sipas skenarit të Edi Ramës. Tani, do venë policë? Unë e ftoj të vënë një batalion, ta rrethojnë atë rrugicën aty ku jam unë dhe unë nuk kam asnjë problemi”.
Demokrati nuk e përjashtoi mundësin e apelimit të çështjes në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Tani imagjinoni ju kur të shkoj, ta supozoj, nëpër këto gjykatat shqiptare, se çfarë kënaqësie do kenë ata të hedhin poshtë kërkesën time për të treguar vasalitetin ndaj Edi Ramës. Por kjo nuk më impresionon mua. Strasburgu është tjetër, patjetër që unë do i drejtohem. Është gjykata gardian i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut”.
Top Channel