Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi të martën se i ka shpallur të pavlefshme disa nene të Ligjit për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit për kushtetutshmërinë e këtij ligji.

Në një njoftim për medie, Kushtetuesja tha se “paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41, për shtesat tranzitore, dhe paragrafi 2 i nenit 45 (shfuqizimi Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës) të ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të aktgjykimit”.

Neni 41: Shtesa tranzitore

1. Nëse një zyrtar/e publik/e apo funksionar/e publik/e, para hyrjes në fuqi të këtij ligji përfitonte pagë që është më e madhe se paga e plotë e parashikuar me këtë ligj, ajo/ai do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave të këtij ligji dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë.

2. Të punësuarat/it, zyrtarja/i publik/e apo funksionarja/i publik/e, në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, do të përfitojë pagën e re në:

2.1. 100% të shtesës tranzitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të parë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji;

2.2. 50 % të shtesës tranzitore të posaçme, sipas paragrafit 1, gjatë vitit të dytë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

3. Përjashtimisht nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, anëtaret/ët e shërbimit të jashtëm nuk gëzojnë të drejtën e shtesës tranzitore.

4. Çdo person që punësohet pas miratimit të këtij ligji përfiton pagën sipas këtij ligji dhe nuk gëzon të drejtën e shtesës tranzitore.

Ajo theksoi se vendimi i saj nuk i prek “në asnjë mënyrë” zyrtarët dhe nëpunësit të cilëve u është ngritur niveli i pagës përmes Ligjit për pagat.

Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të vendimit të saj, t’i ndryshojë, apo plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën.

Ligji për pagat në sektorin publik u miratua nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2022, ndërsa vlera e koeficientit prej 105 eurosh. u miratua në shkurt 2023.

Me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentit së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë.

Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

Janë rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit./ REL

Top Channel