Kërkuan 5 mijë euro për lehtësimin e masës për një të dënuar në Gjykatën e Korçës, SPAK lëshon pesë urdhër-arreste/ Emrat

26/12/2023 11:33

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar disa urdhër-arreste pas një hetimi në Korçë, ku ka zbuluar se pesë persona kundrejt një shume prej 5 mijë eurosh kanë ndërhyrë pranë Gjykatës së Apelit të Korçës për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi.

Ata janë: Nikolla Rafet Hafëzllari, Blerand Lomo Kozici, Nikolla Neki Jesku, Dritan Vladimir Tabaku, Artiana Viktor Kozici.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 07 të vitit 2023, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Moskallëzimi i Krimit”, parashikuar nga nenet 245/1, pika 2 dhe 4 e 300 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit D. K., N. H., N. J., B. K. dhe A. K., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit B. K., i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal. Shtetasi D.T., dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal.

Në bazë të kërkesës së  Prokurorisë së  Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar TiranëGjykata e  Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.137 datë 25.12.2023, ndër të tjera  ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim N. H., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim N. J., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim D. K., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i K. Penal (me profesion avokate).

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim D.T., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i K. Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K. Pr. Penale, ndaj personit nën hetim A. K.,  e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1/2-25 i K. Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka urdhëruar ekzekutimin e masave të sigurimit të caktuara me vendimin Nr.137 datë 25.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar këto masa sigurimi në datat 25 dhe 26.12.2023.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA