Hakerat sulmuan faqen e parlamentit/ Reagon Kuvendi: U tentua fshirja e të dhënave, që kur u detektua ndërhyrja…

26/12/2023 12:07

Hakerat që sulmuan një ditë më parë faqjen e internetit të Parlamentit të Shqipërisë tentuan të fshijnë të dhënat.

Sipas ekspertëve, nga ky sulm është synuar ndërhyrje në infrastrukturë, njofton Kuvendi i Shqipërisë, në një njoftim për shtyp.

Sipas institucionit ligjvënës, nuk janë prekur të dhënat në sistem, ndërkohë që ekspertët e IT-së po punojnë për të zbuluar se çfarë pasojash ka sjellë ky sulm në sistemin e Kuvendit të Shqipërisë.

Por, dalja LIVE e shërbimeve kërkon kohë pasi po kontrollohen të gjitha detajet dhe vijon puna për të kthyer në normalitet faqen e Kuvendit të Shqipërisë, thuhet më tej.

Homeland Justice mori përsipër sulmin e një dite më parë. Përmes një njoftimi në Telegram, ky grup shkroi se deputetët e korruptuar do të shkatërrohen së shpejti:

“Deputetët e korruptuar së shpejti do të shkatërrohen kur të kuptojnë se si demoni i tyre i brendshëm po i demonstrohet çdo kërkuesi të së vërtetës”.

 

Top Channel