Shefi i zjarrfikëses së Lushnjës, Xhezmi Metushi, një ditë pas zjarrit masiv, që përfshiu qendrën tregtare, tha se nuk ka asnjë rrezik që vatra të rindizet, ndërsa tregoi vështirësitë.
“Po shumë e vështirë ka qenë, shikojeni vetë objektin dhe vlerësojeni. Ishte e vështirë të hidhje ujin në lartësi sepse është pallat shumëkatësh. Nuk kishim kapacitet si bashki, u ngrit shteti në këmbë, kanë ardhur zjarrfikëse pa mbarim. Gjej rastin t’i falënderoj, kanë ardhur nga Tirana, Durrësi, Rrogozhina deri në Elbasan, Berat Vlorë, etj. Kishim mbi 10 zjarrfikëse”, tha ai.
Ai tregoi se mbi 10 banorë rrezikuan jetën dhe 5 zjarrfikës.
“Rrezikuan jetën rreth 10 banorë, por i evakuuam në kohë. Nga zjarrfikësit e mi 3 u rrezikuan, dhe 1 i Divjakës dhe 1 i Kavajës”, tha ai.
Metushi tha se nuk dihet shkaku i saktë i zjarrit ndërsa mendohet se fillimisht ra në një dyqan këpucësh.
“Përllogaritjen e dëmeve e bëjnë eksperktet. Mendojmë se vatra e zjarrit ka ardhur nga kati i katërt, nga një dyqan këpucësh dhe disa të tjera rreth”, tha shefi i zjarrfikëses.
“Sot nuk ka asnjë vatër zjarri, e jap me garanci. Kemi punuar gjithë natën dhe vazhdojmë të punojmë akoma. Këtu do jemi dhe vrojtojmë në çdo kohë”, deklaroi ai.
Top Channel