Vrau të burgosurin në Peqin, mbërrin në Gjykatën e Elbasanit nën masa të forta sigurie Sokol Mjaçaj

19/12/2023 09:58

Nën masa të rrepta sigurie, ka mbërritur në Gjykatën e Elbasanit Sokol Mjaçaj, i dënuari me burgim të përjetshëm që vrau brenda ambienteve të burgut Arben Lleshin.

Sot gjykata pritet të japë masën e sigurisë ndaj tij dhe 12 të ndaluarve të tjerë, gardianë dhe civilë, të cilët dyshohet se bashkëpunuan me Sokolin për futjen e armës brenda ambienteve të burgut. I arrestuar është edhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamer Hoxha.

Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit po heton në pistën e vrasjes më pagesë, por Sokol Mjaçaj ka deklaruar se me viktimën ka pasur konflikte.

Sipas tij, Arben Lleshi nuk e ka pranuar në sektorin e tij, ndaj konflikti mes tyre ka degraduar në vrasje. Por sipas prokurorisë, dëshmia e tij është alibi dhe pista kryesore mbetet vrasja me pagesë. Për armën, ai ka deklaruar se e ka marrë rreth 20 ditë më parë nga hyrja, pra në rrugë tokësore.

Si ndodhi ngjarja?

Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, qëlloi me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Top Channel