Sot seanca ndaj Sokol Mjaçajt dhe 12 të tjerëve, rrethohet nën masa të forta sigurie Gjykata e Elbasanit

19/12/2023 08:54

Rreth dy orë para mbajtjes së seancës për masën e sigurisë ndaj Sokol Mjaçaj dhe 12 punonjësve të burgut të Peqinit, gjykata e Elbasanit është rrethuar nga forca të shumta policie.

Policia e Elbasanit, ekipet shqiponja dhe FNSH kanë marrë nën kontroll gjykatën e Elbasanit.

Prokuroria e Elbasanit kërkoi masën e arrestit me burg për Sokol Mjaçajn dhe 12 zyrtarët e IEVP Peqin të ndaluar një ditë më parë.

Të ndaluar janë drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha; Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish shefi i policisë së burgut të Peqini; Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B ; Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin; Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B; Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B; Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B; Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B; Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B; Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B.

Si ndodhi ngjarja?

Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë IEVP “Peqin”, qëlloi me armë zjarri ndaj të burgosurve Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja është jashtë rrezikut për jetën. I dënuari për vrasjen e dy të turistëve çekë mbajti peng nën kërcënimin e armës punonjësit e kuzhinës në institucionin e heqjes së lirisë, të cilët u liruan pas disa orësh me ndërhyrjen e forcave të shumta policore dhe RENEA, që kanë vënë nën kontroll situatën.

Top Channel