Gjermania foli hapur për parregullsi flagrante në zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë, të fituara me një shumicë bindëse nga partia SNS e presidentit Aleksandër Vuçiç. Përmes një postimi në platformën X, ministria e jashtme gjermane përcolli qëndrimin e ashpër të Berlinit zyrtar.
“Serbia votoi, por Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një shtet që ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, shkruhet aty.
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut foli për parregullsi serioze në votime, shpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga ana e kreut të shtetit, fushata negative dhe frikësim. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe misioni i OSBE-së, që monitoruan zgjedhjet, pohuan se ka pasur “probleme serioze, të cilat sipas tyre duhen verifikuar me seriozitet në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të drejta dhe demokraci më të fortë në Serbi, në të ardhmen”. ODIHR përmendi votime në grup dhe shkelje të privatësisë së votës.
“Kemi parë parregullsi serioze, përfshirë blerje të votës”, thanë përfaqësuesit e vëzhguesve ndërkombëtarë. Partitë e koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës”, organizuan në Beograd një protestë me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb.
“Këto zgjedhje nuk mund të pranohen, ato nuk reflektojnë vullnetin e qytetarëve të Beogradit. Këtë po thonë edhe misionet e vëzhguesve lokalë dhe ndërkombëtarë”, tha Vladimir Obradovic, kandidat i opozitës për bashkinë e Beogradit.
“Kemi prova solide dhe të padiskutueshme se zgjedhjet janë manipuluar. Do t`ia dorëzojmë Komisionit Kombëtar Zgjedhor të cilit do t`i kërkojmë anulimin e zgjedhjeve”, tha Srdjan Milivojevic, deputet i opozitës.
Serbia organizoi në 17 dhjetor zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale, në të cilat partia e Vuçiçit shpalli fitoren, në të gjitha nivelet.
Top Channel