Nga ENDRI ARIZI – Ftesa për Kryeministrin Rama nga homologia e tij, Giorgia Meloni në tubimin politik të organizuar nga partia e saj “Fratelli d’Italia”, tregoi edhe njëherë marrëdhëniet e mira mes dy liderëve, edhe pse algoritmi politik tregon një rast të veçantë dhe tejet të rrallë ku një politikan me bindje të majta i bashkohet një partie të ekstremit të djathtë.

Një fenomen tejet i çuditshëm në plan të parë që duket se ka rrëzuar “muret” e ngritura të dialogut politik. Të majtët dhe të djathtët janë bërë një.
Populistët tashmë kanë uzurpuar arenën politike të debatit dhe po përpiqen të marrin dhe timonin e drejtimit, për të “mjekuar” plagët e shoqërisë përmes “kurave” momentale.

Por a mund të luftohet tumori tek një pacient me aspirina?

Ndoshta, për sa kohë arrin ta manipulosh atë dhe ta bësh ta besojë se po shërohet dhe pse trupi i tij lëngon. Kështu është dhe problemi i emigrantëve të paligjshëm, që kanë mbushur brigjet e Lampeduzës dhe Kanalin e La Mansh, në përpjekje për të hyrë në Britani apo vendet e tjera të BE-së.

Por jo vetëm kaq, sëmundja është shtrirë në të gjithë kontinentin evropian, me ukrainasit që pllakosën në vendet e BE pas nisjes së luftës, dhe nga ana tjetër, mijëra të tjerë nga Siria, apo Azerbajxhani, e tjerë, që kalojnë përmes Turqisë e vërshojnë drejt Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë, dhe mes peripecive, vetëm që të mbërrijnë në një vend të Bashkimit Evropian.

Por veç tyre, brigjet britanike po vuajnë dhe eksodin e radhës të shqiptarëve, të cilët kërkojnë ëndrrën e tyre në një tjetër tokë, e cila nuk është më ajo amerikane, por ajo angleze.

Me Gjermaninë, që tashmë ka humbur peshën e saj në politikën evropiane, populistët të mërzitur prej kohësh nga kjo sëmundje që s’po e menaxhojnë dot, për shkak të krizave, pjesa më madhe në vendet e lindjes, kanë ngritur flamurin e kuq, dhe po kërkojnë me ngulm largimin e gjithë të huajve nga territoret e vendeve të tyre, duke ia lënë peshën Gjermanisë, e cila ka hapur derën për strehimin e gjithë atyre njerëzve që enden rrugëve të botës pa një strehë.

Dhe me Italinë, që pasi mori fondet nga BE, u mërzit duke “mikpritur” çdo emigrant, dhe tashmë është gati t’i “hedh të gjithë në det”.
Politikë që prej kohësh, i ka hapur krahët Britania, e cila gjeti si zgjidhje për t’i dërguar në Ruanda, por që harroi Kushtetutën e vendit dhe që tashmë i duhet një tjetër plan. E ku më mirë se një marrëveshje si ajo mes Italisë e Shqipërisë.

a e shumë debatuar, aq dhe vlerësuar nga dy kryeministrat Rama-Meloni.

Një gjë e tillë u dëshmua në takimin trepalësh, Rama-Meloni-Sunak.

Udhëheqësit e Italisë dhe Britanisë thanë se ranë dakord të shtunën për të trajtuar migrimin e parregullt në Evropë, duke u zotuar të intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Problem ky, që nuk e vuan Shqipëria, por ajo u bë pjesë e takimit.

Associated Press e quajti Edi Ramën, një aleat kyç në përpjekjet për të menaxhuar ardhjet e emigrantëve nga Afrika e Veriut në brigjet evropiane. Madje në muajit e fundit, Sunak ka intensifikuar marrëdhëniet me Melonin dhe ka kërkuar të fitojë mbështetje nga liderët e tjerë evropianë për të ndihmuar në goditjen e këtij fenomeni, me Shqipërinë dhe Italinë që shihen si partnerë vendimtarë.

Por ndërkohë që Kushtetuesja pezulloi ratifikimin në Parlament të marrëveshjes midis Romës e Tiranës e cila parashikon pritjen dhe përpunimin e emigrantëve të paligjshëm në Gjadër të Lezhës, atëherë pse Shqipëria vijon të diskutojë për çështje që nuk e prekin dhe nuk kanë impakt në ekonominë e saj.
A mos ndoshta krahas Italisë edhe Britania po e sheh vendin tonë si një strehimore emigrantësh?
Kjo pasi në takimin trepalësh, Rama veç përqafimeve dhe marrëdhënies së mirë me dy homologët e tij, çuditërisht kësaj here nuk dha asnjë detaj nga takimi, veç disa momenteve nga ceremonia zyrtare.

*Redaktor në Departamentin e Informacionit, Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA