Korporata e naftës BP ka njoftuar se po ndalon transportet detare nga Deti i Kuq “pas sulmeve të fundit ndaj anijeve të saj nga rebelët Huthi nga Jemeni” çka mund të sjellë rritje të çmimit botëror të naftës.
Kompania fajësonte për zhvillimin “përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajon” sipas saj pasi rebelët Huthi shënjestrojnë mjetet qe besojnë se kanë si destinacion Izraelin.
BP tha se do të vijojë të rishikojë pauzën dhe do të monitorojë rajonin.
Analistët thonë se të tjera kompani mund të ndjekin shembullin e saj, dhe kjo do të sjellë rritje të çmimit të naftës, teksa në bursë aktualisht një fuçi tregtohet për $79.35.
“Nuk është e qartë se cilat do të jenë pasojat e sakta,” tha për rrjetin BBC, Gregory Brew, analist i Eurasia Group.
“Trazirat e transportit në rajon pritet të rrisin çmimin e naftës.”
Deti i Kuq është një rrugë e rëndësishme e kalimit të naftës dhe gazit të lëngshem, si dhe për mallrat e konsumit.
BBC shkruan se dhe linjat Evergreen Line, do të ndalojnë kalimet në këtë rajon, teksa njoftonin: “Për sigurinë e anijeve dhe ekuipazheve Evergreen Line ka vendosur të ndalojë pranimet e ngarkesave për Izraelin dhe të ndalojë lundrimin mes Detit të Kuq”.
Sulmi i yre i fundit u raportua nga transportuesja MT Swan Atlantic që u godit nga “një objekt i paidentifikuar”, pranë brigjeve të Jemenit, edhe pse nuk kishte lidhje me Izraelin.
Kompania tha në një njoftim: “Nuk ka asnjë lidhje izraelite me anijen në pronësi norvegjeze dhe e manaxhuar nga Singapori”.
Me anë të kësaj rruge lundrimi anijet më pas arrijnë në Kanalin e Suezit për të dalë në detin Mesdhe./BBC/
Top Channel