Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy shoferëve që me garat me makinë aksidentuan për vdekje tre këmbësorë.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale.

“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Se me datë 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën ‘’Ibrahim Rugova’’ në Prizren, saktësisht me dashje dhe në bashkëkryerje, veprojnë në kundërshtim me Rregullat e Trafikut Rrugor, në atë mënyrë që paraprakisht, merren vesh dhe organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që të pandehurit, A.S., dhe I.H., lëvizin paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast i pandehuri A.S., humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin tjetër i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D., dhe L.S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime trupore të dëmtuarve M.Z., S.Z., dhe B.P., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke e ndjekur zhvillimin e garës automobilisitke në mes të të pandehurve”, thuhet në njoftim.

Aksidenti i rëndë rrugor, për nga bilanci por dhe rrethanat në të cilat ndodhi, u regjistrua mbrëmjen e së shtunës (16 dhjetor) pranë Prizrenit. Aksidenti ndodhi në autostradën “Ibrahim Rugova”, pjesë e rrugës së Kombit, që vijon më tej nëpër Shqipëri, ku disa të rinj po bënin gara shpejtësie me makina.

Tre persona që ishin në rrugë janë goditur për vdekje në këto çaste dhe siç raportohet, ata ishin të rinj që po ndiqnin garën. Tre të rinj të tjerë janë lënduar në këtë aksident. Drejtuesi është arrestuar dhe vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë që ndodhi në kilometrin e 15-të të autostradës Ibrahim Rugova.

Viktimat e këtij aksidenti ishin: Lordi Syla, Molos Delija dhe Nue Bibaj, të tre të moshës rreth 20 vjeçare. Dy prej tyre Delija dhe Syla ishin futbollistë të Gjakovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA