Takimi trepalësh mes kryeministrit shqiptar Edi Rama, homologes së tij italiane Giorgia Meloni dhe homologut britanik Rishi Suank, bëri që palët të binin dakord për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për emigrantët e paligjshëm.

Në lidhej me këtë temë faqja zyrtare e kryeministrisë së Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për të trajtuar problematikën.

“Kryeministri ka takuar sot në Romë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke rënë dakord të intensifikojnë punën e përbashkët për të trajtuar migracionin ilegal dhe për të luftuar bandat e organizuara të kontrabandës së njerëzve që e ushqejnë atë”, njoftoi kryeministria britanike.

Kryeministri Edi Rama mbërriti në Palazzo Chigi, ku u prit në oborrin e nderit nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe nga kryeministri britanik.

Rishi Sunak, kishte mbërritur gjysmë ore më parë ashtu si dhe kryeministrja Meloni, e cila u largua menjëherë nga Atreju, sapo Rama mbaroi fjalën e tij.

“Me kryeministren Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, për potencialet e bashkëpunimit trilateral”, ka shkruar Rama pas takimit.

Ka qenë kryeministrja Meloni ajo e cila ka planifikuar fillimisht një takim dypalësh me Rishi Sunak e më pas një tjetër tripalësh me kryeministrin Edi Rama, sipas Corriere.

Gjatë eventit në Atreju, “Frateli d’italia”, Rama tha se marrëveshja për emigrantët me Italinë nuk ka asgjë antikushtetuese.

“Besoj se është bërë një zhurmë jo proporcionale për historinë e kësaj marrëveshjeje, gjë që është shumë e natyrshme. Askush nuk duhet të habitet apo të trembet kur ne bëjmë marrëveshje të mirëkuptimit dhe përfitimit të përbashkët. Është gjithmonë një nder të japësh dorën kur ta kërkon Italia dhe do të jetë gjithmonë një privilegj të konsiderohemi mik i veçantë i Italisë, duhet të bëjmë gjithçka për të qenë vëllau i Italisë”, tha Edi Rama, duke iu referuar marrëveshjes për emigrantët.

Kryeministri foli edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen Meloni-Rama.

“Gjykata Kushtetuese shqiptare ka kryer detyrën e saj, pasi sipas Kushtetutës është automatike pezullimi i një marrëveshjeje për ta marrë në konsideratë para ratifikimit nga Parlamenti. Kjo është një provë që unë nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Kam besim, sepse marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Deri në mars është afati kohor, por mendoj se vendimi do të merret shumë më herët sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe të dyja qeveritë duhet të dinë nëse mund të vazhdojnë apo jo. Kemi pasur kërkesa të tjera nga vendet europiane për të pranuar emigrantë, por ne u thamë jo”, tha Rama.

Para këtij takimi, nga Roma kryeministri britanik theksoi se “ne vendosim kush duhet të hyjë, jo bandat kriminale”, në lidhje me emigrimin ilegal në Britaninë e Madhe.

“Thatcher e kuptoi se idetë ishin të rëndësishme vetëm nëse mund të zbatoheshin. Ajo kurrë nuk u tërhoq edhe kur lufta ishte e ashpër dhe sot duhet të zbatojmë radikalizmin e Thatcherit kur bëhet fjalë për emigracionin ilegal. Kundërshtarët tanë duan të fusin kokën në rërë dhe ta lënë problemin të largohet vetë, por nuk funksionon kështu. Shkoni në Lampedusa, ku erdhën 50% e emigrantëve këtë vit: nuk është më e qëndrueshme, nuk është korrekte dhe e pamoralshme”, tha më parë duke folur në Atreju, kryeministri britanik Rishi Sunak.

“Ne vendosim kush duhet të hyjë, jo bandat kriminale”, shtoi ai, duke nënvizuar se “Giorgia nënshkroi një marrëveshje me Shqipërinë dhe unë me Ruandën”, mbi migrantët. “Duam të minojmë modelin kriminal” të emigracionit të paligjshëm”.

Sunak më pas kujtoi se me Giorgia Melonin “kemi një miqësi shumë solide dhe të fortë që po rikonsolidohet. Ne jemi atlantikë, konservatorë, mbështesim NATO-n dhe jemi kundër agresionit rus kundër Ukrainës”.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA