Letra që kryeministrja serbe Ana Brnabic çoi në Bruksel ku pohonte se vend i saj nuk ka ndërmend t’i zbatojë disa prej pjesëve të Marrëveshjes së Ohrit, përbën dhe të parën herë që Beogradi e pohon hapur mospajtimin me zbatimin e disa prej neneve të ujdisë, me të cilën vetë presidenti Aleksandar Vuçiç ishte dakordësuar.

Edhe pse ai vetë e kishte deklaruar dhe publikisht ngurrimin për ato pjesë të paktit, zyrtarët në Bruksel të përfshirë në procesin e dialogut mendonin se këto ishin thjesht deklarata për konsum të brendshëm nga ana e presidentit të Serbisë. Fakti që u paraqit një dokument me shkrim nga Brnabiç, i befasoi të gjithë dhe zyrtarizoi kështu qëndrimin e Serbisë, duke ngjallur shqetësim të madh brenda bllokut. “

Ndoshta për Serbinë kjo mund të duket si diçka e dobishme për shkak të zgjedhjeve më 17 dhjetor. Por, Serbia duhet ta dijë se vjen edhe 18 dhjetori dhe ditët në vijim, ndërsa detyrimet mbeten. Kjo nuk do të kalojë aq lehtë te vendet anëtare të BE-së”, pohoi për Radion Evropa e Lirë një diplomat i lartë europian.

Mes tjerash marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial mes palëve ndërsa neni 4 i saj, parashikon që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Në letrën e kryeministres serbe theksohet qartë se Beogradi pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB apo në organizatat dhe agjencitë që ekzistojnë në kuadër të OKB-së, cka bie ndesh me ujdinë e arritur mes palëve.

Eksperti Toby Vogel nga Këshilli për Politikë dhe Demokraci (DPC), mendon se tani, Serbia e de facto e ka cuar dialogun para dështimit. “Për një kohë të gjatë dialogu de facto dukej që nuk po funksiononte dhe po përdorej vetëm për menaxhimin e krizave. Por me këtë letër, Serbia e ka zyrtarizuar dështimin e dialogut”, u shpreh Vogel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA