100 euro bonus për fëmijët dhe pensionistët në Kosovë, opozita kritikon vendimin e qeverisë

15/12/2023 10:37

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijët dhe pensionistët është kritikuar nga opozita dhe ekspertë të ekonomisë.

Shumën e ndarë nga pushteti për këto kategori, opozita e quan mashtrim me qytetarë ‘për të siguruar votat vitin e ardhshëm’. Ata kërkojnë nga partia në pushtet të krijojë baza afatgjate për këto kategori. Ndërkaq, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje konsiderojnë se këto para do t’i ndihmojnë këto kategori të qytetarëve në këtë fundvit, teksa pajtohen me faktin se duhet pasur rritje afatgjate të pensioneve dhe shtesave për fëmijë.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Ferat Shala thotë për KosovaPress se qëllimi i këtij vendimi është për qëllime politike.

“Është mashtrim, sepse do duhej që paga bazë të ndryshojë dhe ne do të kemi investime kapitale në mënyrë që prindërit e fëmijëve të cilët meritueshëm meritojnë të kenë vende pune, zhvillim, hapësirë dhe mundësi që ata vet të gjenerojnë mjete dhe ta mbajnë familjen tyre. Nëse kështu vazhdojmë ne po krijojmë varësi logjike dhe sociale nga institucionet me qëllime politike dhe të votave për vitin e ardhshëm”, thotë Shala.

Ky vendim i qeverisë nuk sjell zgjidhje, thotë edhe deputeti nga LDK, Besian Mustafa. Ai konsideron se Qeveria duhet të shpenzojë në investime kapitale në mënyrë që të gjenerojë të ardhura për qytetarët dhe jo me pako afatshkurtra.

“Ato para ndonëse të mirëseardhura për familjet kosovare do të shpenzohen shumë shpejtë dhe familjet kosovare do të vazhdojnë të jenë në gjendjen socio-ekonomike të rënduar nga kjo ‘vetqeveri’, ashtu siç janë. Pra, nuk zgjidh asnjë problem të këtyre familjeve, shpenzon një shumë marramendëse të buxhetit të Republikës së Kosovës, një shumë që do duhej të ishte në investimet kapitale për të gjeneruar të hyra ekonomike për vetë ata fëmijë për gjeneratat e ardhshme. Në mungesë të aftësive, të shkathtësive të këtyre akterëve të kësaj qeverie, që nuk dinë dhe nuk munden të punojnë për gjeneratat e ardhshme kanë vendosur që këto para t’i shpenzojnë tani për tani”, thotë Mustafa.

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj ka ironizuar me këtë ndarje të buxhetit, duke e quajtur vendimin e fundit të qeverisë si ‘lëmoshë’. Ai ka shtuar se qeveria po mundohet t’i mbulojë skandalet me këto shtesa.

“Kjo qeveri është munduar në vazhdimësi t’i dëmtojë komunat të cilat nuk udhëhiqen nga LVV, duke prolonguar edhe buxhetin, prandaj kjo qeveri është e turpshme. Dhe duke dashur të mbulojë në një formë këtë skandal që është bërë edhe shumë mediatik po mundohet me këto ‘sadaka’ t’i jep pensionistëve e fëmijëve. Është veprim popullist dhe po e bënë pikërisht për përfitime në votë, por kjo nuk do të ecë kështu, sepse skandalet e kësaj qeverie janë aq të mëdha këtë vit sa lenë për të dëshiruar”, thotë Kadriaj.

Ndërkaq, deputeti nga mazhoranca, Visar Korenica është lavdëruar me këtë vendim, duke thënë se kjo qeveri po i përmbush premtimet e saj. Ndonëse shton se e mirë do të ishte që të ketë edhe rritje të pensioneve dhe të ardhurat për fëmijë në përputhje me buxhetin e shtetit.

“Kjo është pjesë e programit qeveritar me të cilin edhe ka garuar LVV në zgjedhjet e fundit, e që ka qenë e paraparë me nga 50 deri në 150 euro, megjithatë është gjetur një mes me mundësi financiare dhe buxhetore që ka buxheti i Republikës së Kosovës, dhe po shpërndan këto të ardhura për fëmijët tanë, pensionistët, dhe kategoritë tjera sociale e që uroj që kjo t’i ndihmojë sadopak edhe në kohën kur po kalojmë motmotin e që besoj që edhe reagimet e përfitueseve kanë qenë të gëzuar për këtë… E mira është që çdo vit me pas rritje edhe të pensioneve, por edhe të shtesave për fëmijët, kjo do të duhej të ishte fokus kryesor sa i përket shtesave kur ato e kanë qëllimin të jenë stabile muaj për muaj”, thotë Korenica për KosovaPress.

Kritika për këtë vendim pati edhe nga njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj. Ai vlerëson se Qeveria duhet të rrisë pagat dhe jo të ofrojë diçka me bazë afatshkurtër.

“Është i mirëseardhur për të dy kategoritë, por kur flasim për ekonominë e tregut, kjo nuk qëndron. Më mirë është të fuqizohen bizneset dhe të rriten pagat për faktin se më mirë është qytetarët të mbajnë familjet e tyre, sesa të jap lëmoshë. Kjo nuk i plotëson kërkesat e tyre për një muaj, nuk është diçka e qëndrueshme”, thotë Kadriaj.

Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka ndarë 40 milionë euro për FSK-në dhe nga 100 euro shtesa për fëmijët dhe pensionistët. Vlerësohet se rreth 60 milionë euro është kostoja vendimit të fundit për mbështetje për fëmijët dhe të moshuarit.

Top Channel