Mos u fut në ujë pasi ke ngrënë! Këtë këshillë mund ta kesh dëgjuar me dhjetëra herë që nga fëmijëria dhe pavarësisht revoltës fëminore, tani duhet ta besosh me të vërtetë.

Siç pranojnë ekspertët, ka një arsye përse veprime të caktuara siç mund të jetë noti, nuk duhen bërë menjëherë pasi kemi ngrënë.

Tre veprime që nuk duhet t’i bësh pasi ke ngrënë

Veprimet e mëposhtme duhet t’i bëni minimalisht 30 minuta pas ushqyerjes.

Larja e dhëmbëve

Ngrënia e karbohidrateve dhe sheqernave në ushqime nxit formimin e disa baktereve në gojë. Këto baktere sulmojnë enamelin e dhëmbëve  ndaj larja e tyre pas ushqimit është e nevojshme.

Megjithatë, duhet të presësh 30 minuta pasi ke ngrënë që të lash dhëmbët. Forca e fërkimit mund të dëmtojë më shumë enamelin se bakteret e ushqimit, veçanërisht nëse ke pirë verë apo ke ngrënë agrume.

Nëse je dashamirës të verës dhe këtyre frutave, atëherë lajini dhëmbët para tyre dhe pas ngrënies pi një gotë me ujë për të shpëlarë gojën nga aciditeti.

Mos fli gjumë

Gjumi është i domosdoshëm për shëndetin, por një gjë është e sigurtë, nëse do të flesh menjëherë sapo të çohesh nga tavolina nuk do t’i bësh nder organizmit.

Ekspertët argumentojnë se duhet të presim të paktën 3 orë pas ngrënies për të fjetur. Arsyeja kryesore ka të bëjë me tretjen e cila kryhet kur trupi është në pozicion vertikal dhe jo horizontal.

Nëse ne qëndrojmë të shtrirë pas ngrënies, gjasat janë më të larta që të vuajmë nga urthi dhe aciditeti i lartë në stomak.

Aktiviteti fizik

Llogjika pas këshillës së nënave tona se nuk duhet të lahemi pas ushqimit, qëndron në faktin se tretja kërkon shumë energji dhe tërheq gjakun nga gjymtyrët duke nxitur lodhjen dhe rrezikun e mbytjes.

Po, është e vërtetë që tretja kërkon më shumë gjak dhe trupi nuk mund të përqendrohet në dy fronte, tretje dhe lëvizje të gjymtyrëve, në të njëjtën kohë.

Aktiviteti fizik, sidomos nëse keni ngrënë një vakt të rëndë, duhet kryer tre deri në katër orë pas ushqimit.

Nëse keni ngrënë diçka të lehtë, prisni jo më shumë se një ose dy orë. Për të ndihmuar tretjen, pas ngrënies ju mund të pini një gotë ujë dhe të ecni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA