Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojçiç, është i pamundur.

“Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase”, u shpreh ai.

Këtë deklaratë Daçiç e bëri gjatë një interviste që ai dha për agjencinë Beta, teksa komentoi fletarrestimin e lëshuar për Radoiçiçin nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL.

INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radojçiçit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.

Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministri i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiç, duke thënë se ai është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, po ashtu, deklaroi se “nuk do të ketë diskutim për zbatimin e planit franko-gjerman” derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Daçiç tha se shpreson që plani franko-gjerman të mos bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35 me Bashkimin Evropian.

“Shpresojmë që të mos arrihet deri te kjo, sepse është në kundërshtim me pikëpamjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Nëse plani franko-gjerman bëhet pjesë e kapitullit 35 negociues, do t’i bëjë negociatat me BE-në shumë më të vështira”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA