Majlinda Fetiu shet në vitin 2016 për vetëm 30 milionë lekë një kompani që zotëronte një kontratë koncesionare me vlerë plot 84 milionë euro.
Një lëvizje pa asnjë llogjikë ekonomike. Blerësit ishin biznesmeni Rasim Hamzaraj dhe mjeku Ertel Kërçuku. Ky i fundit ishte mjek i punësuar në Spitalin Amerikan, dhe mori 27.5% të aksioneve ndërsa Hamzaraj merr 72.5 %.
“Në qoftë se kompania nuk është në gjendje të përmbushë detyrimin përpara se të kërkojë partnerë dhe ta shesë duhet ti rikthehet agjensisë shtetërore e cila e rishpallë apo e administron shteti dhe nuk ka përse të certifikojë në mënyrë të heshtur dhe pa transparencë përballë qytetarëve transferime të kësaj natyre”- u shpreh eksperti ekonomisë, Zef Preçi.
“Në asnjë rast kontrata nuk mund të transferohet pa miratimin e organit publik, a është miratimi formal a zbatohet procedura, mendoj se organi publik duhet të bëjë transparencë për dokumentacionet”- u shpreh Redi Ramaj, jurist.
Por, kush ishte biznesmeni që bleu koncesionin e Dializës. Ai është kushëri i afërt i Petrit Vasilit nënkryetar i Partisë së Lirisë. Dikur Ministër i Shëndetësisë në periudhën 2009-2012 në koalicionin qeverisës PD-LSI. Hamzaraj njihet si bosi i kompanisë farmaceutike “MegaPharma’.
Referuar të dhënave të grumbulluara nga Open Data, bie në sy fakti se kjo kompani ka siguruar plot 539 tendera me flamur të kuq, që ngre dyshimet për korrupsion përmes garave të paracaktuara. Vetëm në 4 vitet e fundit, kjo kompani ka arkëtuar nga thesari plot 2.1 miliardë lekë ose thënë ndryshe, rreth 20 milion euro.
“Duhet që të përjashtohen për një kohë të gjatë në disa raste të merren masa ekstreme që edhe kompanitë e tjera të tregohen të kujdesshme kur ndodhin fenomene të caktuara. Në momentin që nuk merren masa, që kapet një kompani që bën evazion fiskal dhe që i jepet përsëri e drejta të marrë pjesë në një tender, që në këtë moment ka mbaruar i gjithë procesi”- u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço.
Kompania koncensionare veç koncesionit të Dializës, ka siguruar plot 152 kontrata publike me vlerë afro 2 miliardë lekë. Ose, rreth 20 milionë euro të tjera.
Ajo që bie në sy në kontratat e kompanisë koncensionare është bashkimi në këto tendera me subjekte të tjera të rëndësishme në vend.
“Xhamajka që para një dekade ka marrë një vendim që kush merr para publike duhet të jetë i certifikuar, të tregojë aftësi paguese,,, të jetë e regjistruar në vende që nuk njihen për krijim të kompanive guaskë apo parajsave fiskale”- u shpreh eksperti ekonomisë, Klodian Muço.
Këtu, jemi para krijimit të oligopolit në rastin më të mirë, ose të monopolit në rastin më të keq që kontrollon të gjithë tregun farmaceutik. Fijet e këtyre kompanive me mbi 40 milionë euro arkëtime nga thesari i shtetit, shkojnë sërish tek biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili është ortak me Rasim Hamzarajin.
Së fundi, ata drejtojnë një kompani të themeluar në Britaninë e Madhe. Referuar të gjitha provave që paraqitëm, duket që edhe në këtë rast, Allajbeu ia shiti sërish vetes aksionet e koncesionit të Dializës, pasi i kaloi nga kushërira Majlinda Fetiu te ortaku Rasim Hamzaraj.
Top Channel