Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha për mediat se në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor sonte do të informojë liderët evropianë mbi rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në rajon.

Osmani theksoi se ky samit po mbahet në një kohë të vështirë për Evropën dhe botën për shkak të një numri konfliktesh që po ndodhin në botë, të cilat dëshmojnë se sa e rëndësishme është paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor.

Ajo kërkoi edhe një herë heqjen e masave të BE-së të vendosura ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndaj Serbisë për shkak të aktit të agresionit të kthyer më 24 shtator në Banjskë.

“Për fat të keq akoma Serbia udhëhiqet nga njerëz të cilët dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e nëntëdhjeta. Ne nuk duhet ta lejojmë një mentalitet dhe një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian, në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë, dhe sidomos në aspektin e sigurisë rreth kufirit me Serbinë dhe e dyta që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq, deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim dhe në qoftë se vazhdohet pa asnjë veprim ose masë në raport me Serbinë, Serbia do ta marrë këtë si një lloj nxitje”, tha Osmani.

Ajo theksoi se gjatë takimit të samitit do të flasë mbi rrezikun nga Serbia për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, ndërsa shtoi se ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë ishin një akt terrori i sponsorizuar nga shteti serb, i cili po vazhdon të mbrojë autorët e këtij sulmi, prandaj është e rëndësishme që sulme të ngjashme të parandalohen në të ardhmen.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është që Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do të informoj sot të gjithë liderët evropianë për informatat që institucionet tona të sigurisë që së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne së bashku duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se në Bruksel do të diskutohet se si mund të ecë rajoni përpara në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane, përfshirë edhe Kosovën.

“Për fund, është koha që e ardhmja evropiane e Kosovës të zhbllokohet. Kosova mbetet i vetmi vend nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pa status kandidat. Kemi aplikuar rreth një vit më parë dhe është koha që të vazhdojmë me këtë proces, sepse tashmë kemi bërë hapa të mëdhenj sa i përket jo vetëm përmbushjes së kritereve evropiane, por edhe reformave në sundimin e ligjit dhe demokracisë, ekonomisë dhe kështu me radhë, dhe ne jemi gati të bëjmë më shumë. Thjesht duhet të sigurohemi që të na jepet mundësia për të ecur në këtë rrugë”, shtoi Osmani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA