Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, është dërguar të martën në Hagë, ku gjendet selia e Gjykatës Speciale të Kosovës.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar avokati i Shalës, Xhevdet Smakiçi. Sipas tij, aktualisht Shala dyshohet për pengim të drejtësisë.
Ai është intervistuar të hënën në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim to Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.
Të njëjtën ditë janë zhvilluar bastisjes në shtëpinë e tij në fshatin Banjë të Malishevës. Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.
Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.
Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer disa herë bastisje në Kosovë.
Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi ish-pjesëtarëve të UÇK-së, njëherësh ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm. Në një proces tjetër gjyqësor gjykohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala.
Ai akuzohet për drejtimin e një burgu të improvizuar, ku supozohet se janë keqtrajtuar disa njerëz dhe njëri prej tyre është vrarë. Vetë Shala ka thënë se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara. Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e ka shqiptuar dënimin e parë për krime lufte.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Top Channel