Shqipëria regjistron një bilanc të jashtëm pozitiv si ekonomi e hapur për herë të parë në historinë e saj.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë Shqipëria shënonte një deficit prej 145 milionë eurosh.

Kontributin kryesor të këtij bilanci pozitiv e ka dhënë turizmi. Të ardhurat në zërin e udhëtimeve për tremujorin e tretë shënuan një vlerë rekord prej 1.66 miliardë eurosh, rritje kjo me 56.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa të ardhurat neto, duke zbritur flukset dalëse, shënuan gjithashtu vlerën rekord të 885 milionë eurove, në rritje me 75% krahasuar me vitin e kaluar. Për 9-mujorin 2023, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 1.46 miliardë euro, në rritje vjetore me 73%.

Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit, duke filluar nga shërbimet e fasonerisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin, fasoneria solli të ardhura neto në ekonomi në vlerën e 592 milionë eurove, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.

Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 677 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Nëse efektit të përmirësimit të bilancit të llogarisë korrente i shtojmë edhe flukset gjithmonë e në rritje të llogarisë financiare, kryesisht për shkak të rritjes së investimeve të huaja direkte, konkluzioni është se këtë vit në ekonominë shqiptare ka hyrë më shumë valutë nga sa ka dalë, duke ndikuar në zhvlerësimin e Euros dhe forcimin e lekut.

Top Channel