Vuçiç në “hall të ri”/ BE-ja, “fut” Kosovën në kapitullin e 35 të negociatave?!

11/12/2023 13:21

Serbia përballet me një sfidë të re: Bashkimi Europian kërkon të përfshijë dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit në kapitullin 35 të negociatave.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç sërish theksoi së fundi se “për Serbinë as nuk shtrohet për diskutim pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, dhe se për këtë ka njoftuar francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët, amerikanët dhe këtë të gjithë e dinë. Vuçiç tha se “dy shtete po e shtyjnë fuqishëm këtë iniciativë”, por nuk specifikoi, se për cilat shtete bëhet fjalë. Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Europiane i tha DW se problemi kryesor kur është fjala për këtë temë është se presidenti serb sillet sikur të mos e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit.

“Nëse zyrtarisht Kosova bëhet pjesë e kapitullit 35, atëherë është e qartë se në të ardhmen do të negociohet modaliteti i njohjes së saj nga Serbia. Nëse bëhet pjesë e kornizës së negociatave, kjo do të thotë po ashtu se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën po kërkojnë nga Serbia që ta njohë atë. Kjo do të thotë gjithashtu se nëse në fillim të negociatave me BE-në nuk ishte e qartë se çfarë do të thotë normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mendoj se tani, dhjetë vjet më vonë, është e qartë kristal”, thekson eksperti.

Sipas tij, “çdo vit që Serbia humbet me një propozim specifik, çon në një propozim edhe më të keq për të.

“Gati 80 për qind e ekonomisë serbe varet nga BE-ja. Sundimi i Vuçiçit nuk ekziston pa mbështetjen financiare të BE-së”, shton ai duke evidentuar kështu pozicionin e vështirë të kreut të shtetit serb. Analisti Igor Novakovic beson se “pranimi i Kosovës në OKB nuk varet nga Serbia” dhe shton se “nëse kjo ndodh realisht, përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit mund të komplikojë integrimin europian të Serbisë, por tani pyetja është se a do të arrihet marrëveshje për këtë brenda vetë BE-së”.

Top Channel