Nga DENISA ÇERMA – Banoj në një apartament në Tiranë. Në katin e shtatë. Për çdo hyrje ka nga pesë apartamente. Të gjitha janë plot. Thuajse nuk njoh asnjë.

Njerëz që dalin rrëmujshëm, kanë harruar të përshëndesin, të shohin thjesht në sy, ndonjëherë i ve re edhe ndonjë grimcë inati se përse i ke zënë ashensorin e para. Për të te pyetur “Si kalove?” as që bëhet fjalë.

Dikur Tirana dhe krenohej me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Me shtëpitë përdhese në lagjet e vjetra, stolat e vegjël të rrjepur nga koha në dyert e shtëpive, gra e burra që shkëmbenin muhabete. “Fara e kosit”, një lugë kripë, një çikë sheqer, kaloheshin shtëpi më shtëpi me enë që harroheshin për ditë me rradhë që i kishe te shtëpia e komshiut.

Kjo “lojë’ e bukur e komshillëkut sot duket shumë e largët.
Mbase sepse nuk i duam më njerëzit! Mbase sepse nuk kemi kohë t’i njohim mjaftueshëm!

Mbase sepse shumica janë të ardhur nga rrethet, pa asnjë lidhje me njëri-tjetrin, ndërrojnë shtëpi çdo 5-6 muaj, nuk ia kanë ngenë të krijojnë raporte me atë që kanë përballë qoftë edhe për pak kohë.

Por kjo e ka një shpjegim; Njerëzit janë bërë më të ftohtë, më shpërfillës, më moskokëçarës. Askujt nuk i intereson më të njohë se me cilin e ndan shkallën.
Katër muret e banesës së tij i dalin dhe i teprojnë. Nuk ndërtojnë dot kollaj besim tek ai që jeton në derën përballë.

Ngjarjet e lloj-lloj natyre që dalin përditë i kanë bërë njerëzit të tkurren tej mase sa më brenda mureve të tyre.
Por nuk është vetëm kjo.

Shprehja “qiraxhiu im” apo “ janë qiraxhinj” është e ndjeshme në çdo pallat.
Ky lloj etiketimi me ngjyrim jo të mirë, ndonjëherë edhe pa dashje, ka bërë që “qiraxhiu” të mos shihet si një komshi i denjë.

Kush e krijon këtë diferencim? Vendalinjtë, kryeqytetasit vetë.
U prishën kështu ekuilibrat e fqinjësisë.

Por përse jemi bërë të tillë?

Një ditë u ndodha (jo rastësisht) tek Pazari i Ri. Pas tregut kanë mbetur ende disa shtëpi të vogla ku në hyrjen e njërës prej tyre një grua moshuar thurte një palë çorape. Pranë saj edhe një zonjë tjetër. Kurioziteti (që vret dhe macen) nuk më la pa iu afruar. Ishin komshije të vjetra.
“Bëhemi shumë me njëra-tjetrën”,- tha
“Të tjerët janë të ardhur, nuk i njohim, rrinë disa kohë dhe lëvizin, janë student ose familje të ardhura nga rrethet”
Dyndjet masive të viteve të fundit drejt kryeqytetit mesa duket paskan prishur dhe traditën e komshillëkut dhe kjo është arsyeja e dytë, ku “fajtor” janë vetë të ardhurit.

“Fshat e zanat, shtëpi e tabiat”,-thotë populli. Por, edhe kjo është harruar…

*Gazetare e programit “Ftesë në 5” në Top Channel

Top Channel