Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se bisedoi të hënën në Bruksel me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri më tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai njoftoi në rrjetin social X se një ekip ekspertësh nga Beogradi morën pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij.
“Si gjithmonë, erdhëm në Bruksel të përgatitur mirë!” shkroi ai.
Propozimi i zyrtarëve perëndimorë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, më 21 tetor nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.
Kurti tha për herë të parë se draft-statuti për themelimin e Asociacionit është i pranueshëm sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Dokumenti u pranua edhe nga presidenti serb Vuçiç. Autoritetet serbe thanë se ai është në përputhje edhe me Kushtetutën e Serbisë dhe me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.
Vendet e tjera perëndimore, SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia, e mbështetën atë.
Pjesë e diskutimeve, sipas tij, ishin edhe shtensionimi i situatës në veri të Kosovës, çështja e të zhdukurve dhe tema të tjera, sipas REL.
Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën më 24 shtator kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Tre sulmues serbë u vranë në përplasjet që pasuan.
Top Channel