Gjykata e Fierit ka shpallur të pafajshëm Fatmir Hoxhën, i akuzuar për vrasjen e Ahmet Toskës.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2020, ndërsa Hoxha ka insistuar vazhdimisht në pafajësinë e tij duke u shprehur se është ngritur nga gjumi në orën 08.00, ndërkohë që vrasja ka ndodhur në orën 06.00.
“Nuk ka prova që e kam kryer unë vrasjen”- ka thënë ai në gjykatë.
Por si ndodhi vrasja?
Më 26 tetor 2020 rreth orës 05:50 të mëngjesit në Lagjen “Sheq i Madh” Fier, përballë Qendrës Shëndetësore, është vrarë me armë shtetasi Ahmet Toska, 52 vjeç, banor i kësaj lagjeje, i cili në momentin e vrasjes po përcillte për në punë bashkëshorten e tij Enida Toska. Autori i ngjarjes ka qenë i maskuar dhe e ka qëlluar viktimën me armë katër herë në kokë dhe në shpatull dhe më pas është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Më 6 nëntor 2020, oficeri i policisë gjyqësore ka kërkuar kontrollin e vendeve, pasi kishte dyshime dhe informacion operativ se autor i kësaj ngjarje mund të ketë qenë i pandehuri Fatmir Hoxhaj. Sipas pretendimit të policisë, këto dyshime janë krijuar nisur nga fakti se sipas pamjeve filmike të sekuestruara, ka rezultuar se autori i ngjarjes është larguar në drejtim të një lagje e më pas të një rrugice, ku midis disa banesave, ndër të tjera ka qënë edhe banesa e të pandehurit dhe të babait të tij, si dhe tri ditë pas ngjarjes i pandehuri Hoxhaj është larguar drejt Italisë nga Porti i Vlorës.
Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë Rrethi Gjyqësor Fier ka vendosur lejimin e kontrollit të banesës nga ora 07:00-20:00 për shtetasit Fatmir Hoxhaj dhe Sabedin Hoxhaj.
Nga kontrollet janë sekuestruar dy armë gjahu dhe lejet përkatëse të tyre, një thikë, një palë tuta sportive, një palë doreza të zeza, një kapuç fësh fësh ngjyrë blu nga ana e jashtme, një kapuç i zi me veshje pambuku, një xhup i zi pa kapuç me zinxhir përpara, një xhup i zi me kapuç fësh fësh.
Në dosjen e siguruar nga Top Channel, Mbrojtja theksoi se argumentet e organit të akuzës janë “teori konspirative”.
“Në kushtet kur autori i ngjarjes nuk është arritur të identifikohej nga ana e prokurorisë nëpërmjet pamjeve filmike të sekuestruara dhe të kqyrura, nga ana e organit procedues është ngritur teoria “konspirative” e hamendësuar sipas të cilës, duke qënë se autori i ngjarjes i fiksuar nga pamjet filmike është parë për herë të fundit të largohet në drejtim të lagjes, e më pas, në një rrugicë të banuar, ku ndër të tjera ka patur banesën edhe i pandehuri, si dhe duke qënë se në datën 29.10.2020 i pandehuri F.Hoxhaj ka udhëtuar në drejtim të Italisë, atëherë i pandehuri duhet të jetë autori!
Ndryshe nga kjo teori “konspirative”, rezulton se:
Së pari: I pandehuri Fatmir Hoxhaj nuk rezulton të jetë fiksuar në asnjë nga pamjet filmike të sekuestruara e më pas të kqyrura nga ana e prokurorisë.
Së dyti: Nga një analizë e thjeshtë e pamjeve filmike të sekuestruara dhe të kqyrura gjatë fazës së hetimit paraprak, rezulton se autori i ngjarjes është fiksuar për herë të parë në ardhje nga kamerat e subjektit “Everest”. Kjo rrethanë tepër e rëndësishmë është ometuar së analizuari apo së paturi në konsideratë nga ana e Prokurorisë si gjatë fazës së hetimit paraprak, ashtu dhe gjatë gjykimit. Pra, në rastin konkret, nga pamjet filmike të subjektit “Everest”, përfitohet një e dhënë tepër e rëndësishme, pasi duket autori i ngjarjes i cili vjen dhe shfaqet për herë të parë nga një rrugë dhe një lagje e cila nuk është lagjia apo rrugica ku ka banesën i padehuri F.Hoxhaj, por është një lagje dhe një rrugë tërësisht e ndryshme. Nëse nisemi nga teoria e supozuar e prokurorisë sipas të cilës duke qënë se autori pas ngjarjes ka ikur në drejtim të lagjes ku ka banesën i pandehuri, duke aluduar se autori është futur në banesën e të pandehurit, me një llogjikë të thjeshtë në rrafshin e këtij supozimi, autori do duhej të kishte dalë dhe ardhur po nga lagjia ku i pandehuri Hoxhaj ka banesën e tij, ç’ka në fakt nuk rezulton në referim të pamjeve filmike të subjektit “Everest”, për sa më sipër parashtruam, duke bërë kështu që supozimi i akuzës të mos qëndrojë.
Së treti: Nuk ka asnjë pamje filmike që të sjellë njoftim, e për rrjedhojë të provojë supozimin e prokurorisë se autori i fiksuar në pamjet filmike pas ngjarjes, është futur në banesën e të pandehurit. Edhe Procesverbali “për kqyrjen e pamjeve filmike” të banesës së shtetasit Jani Pjetri, ku autori i ngjarjes rezulton i fiksuar për herë të fundit, në fakt, këto pamje filmike nuk kanë fiksuar apo pasqyruar banesën e të pandehurit, por pasqyron vetëm fillimin e kthesës së një rrugice, e cila ka shumë banesa të tjera dhe ka minimalisht dy dalje të tjera drejt rrugëve kryesore. Që në këtë moment, pushon së ekzistuari qoftë në rrafshin e dyshimit, e jo më të provuarit tej cdo dyshimi të arsyshëm sikundër përcaktojnë nenet 4 dhe 390/1 të K.Pr.Penale, standartin e provueshmërisë së autorësisë apo fajësisë së atribuar nëpërmjet akuzës të pandehurit. Në mungesë të provueshmërisë së kësaj rrethane, prokuroria e gjendur në vështërsi, ka nisur të orvatet në hamendësime sipas të cilave, meqë autori është larguar në drejtim të lagjes së të pandehurit, do duhet të ketë vajtur tek banesa e tij!”
Top Channel