Festat e fundvitit shoqërohen gjithnjë me rritje të çmimeve, një pjesë e të cilave konsiderohet abuzive, pasi tregtarët vlerësojnë faktin se shumë qytetarë janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë për të blerë ushqim, dhurata, veshje, dhe argëtim.

Një tjetër faktor janë dhe bonuset e fundvitit, ai për pensionistët, shpërblimet, si dhe ardhja e emigrantëve, që sjellin më shumë para në qarkullim për t’u shpenzuar. Por ndonëse është vetëm java e parë e dhjetorit dhe ka ende kohë për festat, çmimet kanë nisur të rriten edhe në tregun e produkteve bujqësore në Durrës, krahasur me fillimin e muajit të kaluar.

“Nuk janë aq të favorshme. Ndihet ndryshimi, po kjo është. Varet nga gjendja e gjithsecilit. Dikush i përballon e dikush jo”– tha një qytetar.

“Shpresojmë të rriten tani, si gjithmonë. Ironi patjetër”– u shpreh një qytetar tjetër.

E keni marrë bonusin?

“E marr nesër. Ndihmon për zarzavatet, jo për mishrat e tutje”- u shpreh i keqardhur një tjetër.

“Çmimet shtrenjtë, ç’të flasim për to ne?! Janë rritur, po vijnë festat. Nuk është normale, po njerëz hallexhinj. Do blejmë se do të hajmë. Sa të kemi do të hamë”- tha një tjetër.

Rritja e çmimeve është kthyer në një dukuri të zakonshme, që rëndon kryesisht ekonominë e familjeve me të ardhura të pakta.

“Pa diskutim, a bëni pazar ju për vete. Duhet me ble ngapak, po do kalojmë. Të jeni mirë ju dhe ne do të jemi”- tha një qytetar.

“Çmimet janë të larta, prandaj duhet të marrin masa veccanërisht për ne pensionistët. Se sado i kanë ngrit pensionet prapë…”- u shpreh një tjetër.

”Viti i ri dhe 3 javë. S’janë normale se rrogat janë të vogla. Unë punoj në rrobaqepësi, punëtore hekuri dhe marr 360 mijë të vjetra”- tha një qytetare.

– Pak të larta janë. Marrim nga pak. Në vend të 1 kg, marrim gjysëm.

– Do të shpenzoni më shumë për festa?

– Patjetër, duhet.

– Po bonusin e keni marrë?

– E kemi marrë, po 5000 lekë janë ato.

“Ne jemi pensionista. Sa të kemi mundësi do të marrim. Çfarë është bonusi, po bereqaveres. Do dhe një 5-she tjetër gjeli i detit”- tha një tjetër.

Ndryshe nga blerësit, për tregtarët çmimet nuk kanë rritje, ndërsa fuqia blerëse ka rënë.

Çfarë pritet?! Ka mall e s’ka fuqi blerëse. Kupton? Çmimet të njëjta janë, ndoshta dhe më lirë se vitet e tjera”- tha për Top Channel një tregtar.

“Blerës s’ka fare. Kanë ikur të gjithë. Çmimet në stratosferë? Është e përditshme. Para s’ka, blerës s’ka. Ku të shkojë më?!”- tha një tjetër tregtar.

“Ça festash?! Ku ka lekë?! Shef rob këtu ti?!”

Në prag të festave, çmimet pritet të rriten edhe më tej së bashku me kërkesën për produkte dhe shërbime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA