Lara Colturi, skiatorja 17 vjeçare, e cila përfaqëson dhe garon për Shqipërinë, ka arritur një rezultat historik në botërorin e skive, duke u renditur në vendin e 12.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh krenar për rezultatin e saj dhe i shprehu mbështetjen në vazhdim, si pjesë e “Sport Klub Tirana”.
“Jemi shumë krenarë për ty! Tani ke edhe një ‘fan club’ me shqiptarë që të ndjekin kudo. Ndihem shumë mirë që sot je këtu me ne, për të rikonfirmuar besnikërinë ndaj flamurit shqiptar. Më bën të jem vërtet krenar. Shpresoj shumë që, teksa rritesh në këtë sport, të qëndrosh me këmbë në tokë, jo sepse e kërkon vetë sporti i skive, por e thjeshtë, e mbarë, bujare, sepse ke krijuar një model të një vajze që punon fort, që mëson fort, që është e përkushtuar, dhe pavarësisht famës ka mbetur një vajzë modeste dhe besnike ndaj kauzës që ne e quajmë ‘misioni Shqipëria’”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës do ta mbështesë Larën edhe në vitet e ardhshme. “Ne si Bashki e Tiranës do të marrim një vendim për të qenë sponsor gjeneral i Larës.
Duke qenë se është atlete e Klubit Sportiv Tirana duam që ta bëjmë këtë në afatgjatë; pra, të të japim mundësinë dhe komoditetin që të trajnohesh pa u shqetësuar për shpenzimet. Do të marrim një angazhim për tre vitet e ardhshme, duke qenë se Lojërat Olimpike dimërore janë në 2026-ën. Ne do ta mbështesim Larën për tre vite dhe përveç kësaj do të vazhdojmë të jemi tifozët e tu më të mëdhenj”, tha ai.
“Ju falënderoj vërtet për të gjithë mbështetjen që më jepni! Tani sezoni ka filluar dhe do të vazhdojmë përpara”, u shpreh skiatorja Lara Colturi.
Vitet e fundit klubi shumësportësh “Tirana” po njeh një hov në cilësinë e sportistëve që garojnë në disiplina të ndryshme, të cilët kanë fituar trofe dhe tituj kombëtarë e ndërkombëtarë, si Luiza Gega, Kampione e Europës në Atletikë, apo Zelimkhan Abakarov, Kampion i Botës në mundje.
Top Channel