Tirana mirëpret anëtarët e Komitetit Olimpik Mesdhetar, për herë të parë zhvillojnë mbledhjen e Bordit në Shqipëri

09/12/2023 10:55

Tirana priti këtë të shtunën anëtarët e Komitetit Olimpik Mesdhetar, që për herë të parë zhvillojnë mbledhjen e Bordit në Shqipëri.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Rama, i cili tha se është nder për kryeqytetin europian të sportit 2023 të presë anëtarët e Komitetit Olimpik Mesdhetar.

 “Është hera e parë që kemi nderin që të mirëpresim miq kaq të nderuar nga bota e sportit. Nuk e marrim me kaq lehtësi këtë gjë. Ju jeni këtu nga tre kontinente dhe Tirana është kryeqyteti Europian i sporteve për vitin 2023, kështu që festojmë prezencën tuaj në Shqipëri. Do doja të sigurohesha që ju jeni mirëpritur mirë dhe garancia jonë është z.Fidel, i cili është edhe presidenti ynë vizionar. Në saj edhe të tij po bëhet një punë shumë e mirë”.

Rama tha se do të mbështesë Kosovën në organizimin e lojërave mesdhetare për vitin 2030.

Ne jemi të angazhuar të mbështesim Kosovën, kandidaturën e saj për lojërat mesdhetare të vitit 2030. Dhe siç u informova edhe nga presidenti i kësaj organizate, në lojërat e para olimpike që do të ndodhin në Shqipëri, në Prishtinë dhe në Durrës, do të jemi të gjithë krenar për vendimin që është marrë. E dimë që ky vendim nuk është shumë i lehtë për ju, por ju merrni vendime si njerëz të sportit se nëse do ishit njerëz të politikës nuk do ishte kaq e lehtë ta merrnit këtë vendim. Njerëzit e politikës nuk i marrin vendimet kaq lehtë sa ju.”- u shpreh Rama.

Ju lutem, kënaquni këtu në Tiranë, dilni jashtë, është ditë e bukur dhe ka shumë gjëra për të parë“- ishte thirrja e Ramës në fund të fjalës së tij.

Top Channel