Thuram ‘beniamini’ i ri i tifozerisë zikaltër, i rritet ndjeshëm vlera e kartonit

09/12/2023 09:14

Vera ishte jo pak e trazuar në kampin zikaltër të Interit, sidomos pas vendimit për të hequr dorë njëherë e mirë nga sulmuesi belg Romelu Lukaku, teksa pasiguria e tifozerisë se kush do të mbajë peshën e sulmit, sa vinte e shtohej.

Të paktë ishin ata që besonin te Marcus Thuram, sulmues francez të cilin e Interi e siguroi me parametra zero, pasi i kishte përfunduar kontrata me gjermanët e Borussia Monchengladbach.

Megjithatë mungesa e transferimit të Lukaku i shërbeu për mirë Thuramit, që shfrytëzoi maksimalisht mundësinë dhe shumë shpejt u shndërrua në një beniamin të tifozerisë zikaltër.

Me 5 gola dhe 6 asiste në kampionat, si dhe disa penallti të fituara, Thuram ka marrë pjesë në thuajse gjysmën e golave të shënuar nga zikaltrit, teksa vlera e tij është rritur ndjeshëm dhe sipas sajtit të specializuar ‘transfermarkt’ tashmë kartoni i tij kushton rreth 70 milionë euro.

Jo pak për një sulmues që erdhi me parametra zero dhe që po tregon se di të bëjë shumë mirë qoftë si sulmues i dytë, qoftë si pykë, duke luajtur në zonën kundërshtare.

Bashkë me Lautaron, Thuram ka formuar një dyshe perfekte, duke rikthyer kujtimet e asaj Eto’o-Milito, që fitoi gjithçka në 2010-ën, teksa tifozerisë zikaltër nuk i mbetet veçse të admirojë spektaklin e tyre në fushë. /Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA