Juventus nuk gaboi në Allianz Stadium përballë Napolit duke i mposhtur të kaltrit me rezultatin 1-0 falë një goli të Federico Gattit.
Një trepikësh që i dhuroi bardhezinjve vendin e parë në renditje në pritje të Interit që luan ndaj Udinese. Pas fitores me Napolin, trajneri Massimiliano Allegri vlerësoi të besuarit e tij duke theksuar se tashmë skuadra është konsoliduar e mbi të gjitha është e përulur në fushë, çka i lejon të marrë maksimumin në një 90-minutësh.
“Pas kësja fitoreje e kemi lënë Napolin 12 pikë mbrapa, është diçka shumë domethënëse dhe e rëndësishme. U treguam si një shkëmb në momentet e vështira të ndeshjes, duhet të vazhdojmë kështu, të përulur dhe të ekuilibruar. Duhet të mendojmë vetëm për të tashmen dhe se si mund të përmirësohemi.
Ende gabojmë në disa momente, por e rëndësishme është që sërish qëndrojmë në lojë. Kjo është shenjë pjekurie. Pjesa e parë dhuroi emocione nga të dyja krahët, ndonjëherë duhet ta ngadalësojmë dhe ta luajmë ndryshe topin. Luanim kundër një skuadre të fortë dhe që në Itali ka zotërimin më të lartë të topit. Iu përshtatëm ndeshjes pasi duhej të tregoheshim efikas dhe praktik pasi në fund ai që vlen është rezultati.
Gatti dhe Vlahovic? Gatti para tre vitesh luante në Lega Pro dhe kjo do të thotë se ka bërë hapa gjigand, këtë e tregon goli. Mos mendoni që ai gol nga Gatti ishte rastësi. Kemi folur shumë me të gjatë javës, ai duhet të përmirësohet në mbrojtjen jashtë dhe brenda zone. Por, e di që me kohën do t’ia dalë ashtu si edhe gjithë të tjerët.
Vlahovic bëri një ndeshje të mirë dhe e zëvendësova prej disa shqetësimeve. Punoi shumë dhe nëse mbrojmë mirë, kjo vjen sepse mbrojtja fillon nga sulmuesit”, u shpreh Allegri./SuperSport
Top Channel