Të huajt që kërkojnë shtetësinë gjermane në landin lindor Saksoni-Anhalt mund ta marrin pasi të deklarojnë se mbështesin ekzistencën e Izraelit, thotë DW.
Ata duhet të pranojnë se “njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe dënojnë çdo përpjekje të drejtuar kundër ekzistencës së shtetit të Izraelit”, në të kundërt, u refuzohet shtetësia gjermane. Kundërshtimi regjistrohet në dosje dhe kërkesa për shtetësinë gjermane shpallet e refuzuar.
Deri tani, në Gjermani kërkesa për shtetësinë gjermane mund t’i mohohej një aplikuesi kur ai kishte kryer akte që shkelnin rendin demokratik. Por në landin e Saksoni-Anhaltit autoritetet kanë udhëzuar të shihet “nëse ka tregues të qëndrimeve antisemite” te aplikuesit.
Ministrja e brendshme e Saksoni-Anhaltit, Tamara Zieschang, nga kristjandemokratët e CDU-së, ua ka dërguar që në fund të nëntorit dekretin përkatës qarqeve administrative dhe qyteteve të pavarura, kujton media e njohur gjermane. Dekreti mbështetet tek fakti që e drejta e ekzistencës së Izraelit, është shpallur kauzë shtetërore në Gjermani.
Në sistemin federal të Gjermanisë ekziston një ligj federal për shtetësinë. Ai është i detyrueshëm për të gjitha landet. Por, si për të gjitha ligjet në Gjermani, përgjegjëse për zbatimin në terren janë landet, që kanë pothuajse kompetencat e një republike e në këtë kuadër, u lihet një hapësirë për manovrim, në të cilën mund të lëvizin brenda kufijve të caktuar.
Top Channel