Kongresit të partisë socialiste i pari i saj Edi Rama ia përsëriti se çfarë është bërë deri më tani në mandatin e tretë, nuk mjafton duke theksuar se nëse PS ndal ritmin progresi vendit vihet në rrezik. Edi Rama u shfaq aspak i panikosur nga pengesa e mundshme greke me integrimin.
“Vetëm një shtet e ka lënë ende pezull opinionin e vet, jo për rezultatet e pamohueshme të Shqipërisë për hir të së vërtetës, por për një arsye të mos arsyes tradicionale ballkanike në marrëdhëniet fqinjësore, Greqia. Në rast se kjo ndodh unë nuk do kthehem nga Brukseli i mërzitur. Asnjë fije i mërzitur, ju siguroj për këtë, por do kthehem dhe më krenar për Shqipërinë, edhe më i motivuar për të vazhduar së bashku punët e mëdha të shtëpisë sonë të përbashkët”, tha Rama.
Në atë që e quajti kampionati europian i integrimit Edi Rama zbuloi armën sekrete të shpejtësisë në këtë proces për Shqipërinë. Ajo quhet Mira Murati shefe e teknologjisë për Chat GPT me të cilët ka bashkëpunuar në përafrimin e legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE-s.
“Ajo e dëgjoi me kujdes gjithë parashtrimin që unë i bëra pyetjes se nuk po e zgjas këtu, dhe më përgjigjet, “po më duket e mundur”. Kështu nisi puna me Mirën dhe me një skuadër të përbashkët që ne e krijuam me AKSHI-n dhe me ekspertët e saj.
Dhe sot, dua ta ndaj me ju që në 13 dhjetor në Bruksel, kur të mbarojë mbledhja bashkë me dilemën greke, unë do tua lë si kartolinë të Vitit të Ri të Shqipërisë të gjithë liderëve të Bashkimit Europian rezultatin e testit të suksesshëm të modelit shqiptar të inteligjencës artificiale për ndërvendosjen në legjislacionin tonë të 280 mijë faqeve, masa ligjore të BE-së”, tha kryeministri.
Kryeministri shpalosi platformën e vijimit të këtij bashkëpunimi, në përdorimin masiv të inteligjencës artificiale në shumë fusha.
“Por viti i ri do të hyjë me një e-albania 2.0 bashkë me një platformë ndërveprimi me teknologjinë më të fundit, duke i bërë shërbimet më të thjeshta, përfshirë dhe për të gjithë ata me aftësi ndryshe, përfshirë edhe për të gjithë të moshuarit, megjithëse për hir të së vërtetës, kur ne i futëm këto shërbime ata që gjithmonë thonë diçka se duhet thënë diçka kundër punëve tona thanë i lanë jashtë fare shërbimit pensionistët, po pensionistët me thënë të drejtën janë përdoruesit më seriozë të këtyre shërbimeve, megjithatë të gjithë do kenë një shërbëtor personal. Do kenë një asistent të vetin, të e-albanias”, tha Rama.
“Në 2024, ne pensionistëve ne do tu japim kartën e tyre dhe do ta fillojmë tani projektin pilot dhe ne pensionistëve do tu japim kartën e tyre dhe pensioni i tyre do të jetë në bankë, nuk do ta prekë askush dhe kudo ata do të shkojnë do të përdorin kartën e tyre për të marrë ilaçet, për të pirë kafen, për të bërë ato pazare që bëjnë dhe kështu do ta shtrijmë për të gjithë”, shtoi kryeministri.
Top Channel