Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste duke krahasur Shqipërinë e 10 vitevë më parë dhe sesi është sot.
Rama tha se sot në Kongres ‘është shpalosur ambicia për të ngritur Shqipërinë në majën e lartë që u nis 10 vite më parë’, teksa tha se në 2013 vendi ishte zhytur në borxhe dhe nuk do kishte mund dot të përballonte pandeminë, tërmetin dhe inflacionin e luftës.
“Duroni edhe fjalimin tim si zakonisht të shkurtër. Të dashur shokë, shoqe, miq, dhe të ftuar edhe nga jashtë vendit, por brenda familjes sonë të internacionales socialiste. Sot për të shpalosur ambicien në vijim të një përpjekje të përbashkët për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejt të cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz një vend të zhytur në borxhe, varfëri, krim, të organizuar dhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit, dhe në një kohë që askush se merrte seriozisht emrin Shqipëri. Shqipëria godet sa herë zihej me gojë qoftë në institucione ndërkombëtarë, qoftë në mediat e botës së lirë, Ne kemi punuar shumë në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të mëdha e të vogël të trashëguara dhe me plagët e jashtëzakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës. Tërmet shkatërrimtar, pandemi, krizë e rëndë botërore të çmimit të energjisë, të cilat po ta kishin gjetur Shqipërinë në gjunjë siç ishte 10 vite më para do e kishin çuar në një humnerë të paimagjinueshme, pa asnjë ekzagjerim, të ngjashme me humnerën e vitit 1997. Vetëm falë PS, të treja furtunat na gjetën në këmbë dhe na gjetën të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e një shteti që ende nuk plotëson dot shumë gjëra qytetarëve të tij, por ama nuk i lë vetëm kurrë në momentet e vështirësive të mëdha. Parafytyroni sikur tërmeti të na kish gjetur me borxhe mbytësi si 2013, imagjino si do na kishte gjetur pandemia me shërbimin shëndetësor të vitit 2013. Merreni me mend sikur egërsia e luftës që ngriti çmimet e energjisë në qiell të na kishte gjetur me gjysmën e miletit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit të përfundimtar. Apo inflacioni i luftës të na kishte gjetur me arkën e zbrazura të vitit 2013. Sot Shqipëria çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet e dukshme. Pret 10 mln turistë, ka një monedhë kombëtarë më të fortë se asnjëherë dhe ulet çdo tryezë të komunitetit ndërkombëtar, duke dhënë respekt dhe duke marrë.“-tha Rama në nisje të fjalimit.
Top Channel