33 akuza ka ngritur deri tani Prokuroria Speciale për krime lufte në Kosovë, të cilat përfshijnë 89 persona.
“Nuk vjen në shprehje, në asnjë mënyrë, asnjë përkatësi nacionale, qoftë serb, shqiptar, boshnjak, malazez. Drejtësinë do ta bëjmë të barabartë për të gjithë. Ne kemi edhe raste që i kemi prioritet, në mesin e tyre ka qenë Burgu i Dubravës, Meja. Por, kemi prioritet edhe vrasjen e një gazetari serb, për të cilin jemi duke hetuar në mënyrë intensive”, u shpreh kryeprokurori Blerim Isufaj.
Isufaj përmendi si probleme numrin e vogël të prokurorëve dhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë, për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Prokuroria e shfrytëzoi konferencën për të dhënë edhe detaje mbi Masakrën e Mejës, dhe asaj në Burgun e Dubravës.
Sipas prokurores Drita Hajdari, rasti i Mejës është bartur nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë – EULEX, që kishte nisur në vitin 2013 hetim kundër 18 personave. Hajdari sqaroi se prokurorët vendas e çuan këtë hetim edhe më tej duke e zgjeruar atë edhe për 35 persona të tjerë, e duke e çuar në 53 numrin total të të pandehurve në këtë rast.
Ndërsa për Masakrën e Dubravës, u tha se për këtë çështje janë 88 të pandehur, ndërsa hetimi po vazhdon. Në luftën e viteve 1998-1999 besohet të jenë vrarë mbi 13.000 civilë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona, shumica prej të cilëve shqiptarë.
Top Channel