Maqedonia e Veriut po përgatitet për zgjedhjet e reja parlamentare në 8 majin e vitit të ardhshëm.

Aktualisht vendi fqinj po përballet me një krizë, ndërsa rruga drejt integrimit evropian kërkon disa ndryshime kushtetuese, që kërkojnë edhe votat e opozitës, e cila refuzon t’i votojë ato.

Zgjedhjet e parakohshme të shpallura kërkojnë një qeveri teknike deri në zhvillimin e tyre. BDI, partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pjesë edhe e koalicionit qeverisës, ka propozuar kryetarin aktual të parlamentit, Talat Xhaferri për të marrë postin teknik.

Nëse votohet, kjo do të ishte hera e parë që në historinë e vendit fqinj kreun e ekzekutivit do ta marrë një shqiptar. Në këtë mënyrë në Ballkanin Perëndimor do të bëhen tre shtete me kryeministër shqiptar, ndërsa më herët edhe një tjetër shqiptar, Dritan Abazoviçi kryesoi qeverinë në shtetin e Mali të Zi.

Top Channel