Çdo të premte, në edicionin e orës 15:00 në Top Channel, lajmet jepen edhe në gjuhën e shenjave, për të informuar të gjithë njerëzit që nuk dëgjojnë.
Në Shqipëri ka 39 mijë persona që nuk dëgjojnë, por nga ana tjetër ka vetëm tre interpret të gjuhës së shenjave.
“Falë këtij edicioni të lajmeve të orës 15:00 do mundemi që të aksesojmë në gjuhën e shenjave edicionin ditor. Është e vetmja mënyrë se si njerëzit që nuk dëgjojnë mund të marrin informacion. Një studim për nivelin arsimor i njerëzve që nuk dëgjojnë, tregon që 90% e tyre janë analfabet funksional që do të thotë njohin alfabetin, gërmat por nuk njohin fjali, pra nuk arrijnë të kuptojnë një fjali të tërë dhe kjo e bën të pamundur që ata ta kuptojnë nga teksti një informacion apo një lajm të shkruar dhe duhet patjetër që të përkthehet në gjuhën e shenjave, në gjuhën e tyre të parë”, shpjegon Paola Basha, interprete e gjuhës së shenjave.
Prania e interpretëve të gjuhës së shenjave është e nevojshme dhe në institucionet publike e private, që dhe personat që nuk dëgjojnë të mund të marrin informacionet që ju duhen, në gjuhën e tyre, njëjtë si dhe pjesa tjetër e shoqërisë.
“Nevoja është e madhe por mungon ligji për njohjen e shërbimeve të interpretimit. Tani kanë filluar të ndryshojnë disa gjëra dhe kanë filluar që ta njohin profesionin e interpretit si profesion“, thotë Basha.
Më shumë interpret të gjuhës së shenjave, do të thotë më shumë mundësi për tu shprehur e kuptuar për njerëzit që nuk dëgjojnë.
“Është një profesion shumë i bukur dhe të shohësh personat që nuk dëgjojnë të cilët i kanë syt vetëm tek ty për të marr një informacion, është gjëja më e bukur që ti mund ti ofrosh apo të kuptuarit, ata të jenë të barabartë në informacionin që ne e marri shumë kollaj duke dëgjuar apo duke e parë, ata e marrin nëpërmjet gjuhës së shenjave. Kështu që i ftoj të gjithë ta mësojnë gjuhën e shenjave sa më shumë dhe duhet të motivohen për ta mësuar, është një gjuhë e huaj”, shpjegon interpretja.
Top Channel