Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka kushtëzuar ratifikimin e aplikacionit të Suedisë për anëtarësim në NATO, me miratimin e kërkesës që i ka bërë Ankaraja Kongresit amerikan për aeroplanët luftarakë, F-16.
Suedia dhe Finlanda kanë hequr dorë nga disa dekada të neutralitetit dhe kanë kërkuar të anëtarësohen në aleancën veri-atlantike, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në fund të vitit të kaluar.
Kërkesat e tyre janë miratuar shpejt prej të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, përveç Turqisë dhe Hungarisë.
Dy vendet e kanë miratuar këtë vit aplikacionin e Finlandës, por jo edhe të Suedisë.
Erdogani ankohet se Stokholmi nuk ka marrë masa të mjaftueshme për t’i shtypur grupet kurde, që Ankaraja i konsideron terroriste.
Komiteti për Çështje të Jashtme i Parlamentit të Turqisë, e ka shtyrë votimin për aplikim për më vonë, vendim që është kritikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Erdogan e ka dhënë këtë sinjal të fortë të premten, që parlamenti do të veprojë në rastin e Suedisë, nëse Kongresi amerikan miraton kërkesën e Turqisë për blerje të aeroplanëve F-16 dhe pjesëve të tyre.
“Ju thoni se do të merrni hapa në çështjen e aeroplanëve F-16, pas miratimit në Kongres, mirëpo edhe unë kam Parlament”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara
“Nëse ne jemi dy shtete aleate në NATO, atëherë duhet ta bëni pjesën tuaj, në solidaritet, dhe Parlamenti ynë do ta bëjë pjesën e vet. Kjo është e gjitha”.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka premtuar vazhdimisht që do ta çojë përpara planin për shitjen e aeroplanëve.
Mirëpo, miratimi i kërkesës ka hasur në rezistencën nga liderë të Kongresit, të cilët përmendin shqetësimet lidhur me historikun e Turqisë në fushën e të drejtave të njeriut, dhe raportin me Greqinë, po ashtu anëtare e NATO-s./ rel
Top Channel