Përse fëmijët nuk dinë lexim? “Neglizhencë nga mësuesit, prindërit dhe tekstet e këqija”

07/12/2023 19:48

Të dëgjosh një orë mësimi në shkollat shqiptare e kupton interesin e paktë të nxënësve dhe nivelin përgatitor të çalë.

Aq sa mund të duket e pabesueshme, por në klasë të tetë gjen edhe nxënës që mezi lexojnë.

“Unë nuk di të lexojë mirë, sepse jam kthyer nga Italia.

-Kur je kthyer?

“Në moshën 8 vjeçare”.

Por ka edhe nxënës që dinë të lexojnë por nuk e kuptojnë çfarë kanë lexuar, e nuk arrijnë ta memorizojnë apo ta rikrijojnë temën mësimore, as mbi dijet bazë.

Dramatike dhe e paprecedentë më parë është rënia e aftësive të nxënësve 15 vjeçarë edhe në bazë të testit të PISA-s që e rendisin Shqipërinë në vendet e fundit të botës.

Performancë më të dobët në lexim, matematikë dhe shkencë shteti ynë ka edhe në rajon së bashku me Kosovën. Krahasuar me 2018, Shqipëria ka rënë me 69 vende në matematikë, ka zbritur 47 vende në lexim dhe 41 vende në shkencë.

Rezultatet e Pisa-s i prisja. Nuk çuditem, e nuk e lidh vetëm me pandeminë se pandemia qe në të gjithë botën! Ka neglizhencë nga mësuesit, nga prindërit e pasoja është te nxënësit. Tekstet janë të përkthyera keq, ka rënë niveli, kanë hequr tema të rëndësishme. Nxënësi vjen i pastër, vjen i bardhë… nxihet rrugës pastaj, nga paaftësia jonë, nga moskujdesi i prindërve. Prindërit duan nota, jo dije!”- shprehet mësuesja Vera Çela.

Lista e shkaktarëve të gjendjes alarmante në arsim është e gjatë për mësuese Verën, e cila ka gati 6 dekada që është pjesë e sistemit, pavarësisht se ka vite që dalë në pension.  Ajo bën dallimin me autoritetin e mësuesve ndër kohë dhe shikon me keqardhje se si sot diplomohen në pedagogji jo më të mirët.

“Kur kam studiuar unë matematikë ka qenë Thoma Delianja ministër arsimi dhe na ka mbledhur maturantët më të mirë të Tiranës që në 63 dhe unë e kujtoj e sot kur na tha: Ne vetëm me kulturë mund të mbijetojmë. Duhet të forcojmë shkollën. Ju lutem shkoni studioni në shkollat pedagogjike. Sot jo, absolutisht kanë hallin e lekut. Sa paguhet mësuesi?”- shton mësuesja.

Ndaj, mësuese Vera vlerëson se arsimi duhet të  jetë prioritet për qeverinë, për të përmirësuar shoqërinë, ndonëse shfaqet pesimiste për të ardhmen.

“Këtë të ardhme unë e shoh shumë në rrezik. Do shkojmë te mjeku, që në vend të na shërojë do na vdes. Do gjejmë një inxhinier që do bëjë një shtëpi të na zërë për fund. Kjo duhet të ndryshojë, ky nivel. Duhet vënë dorë me seriozitet, me dashuri për vendin!”.

Top Channel