Partizani regjistroi barazimin e katërt radhazi në kampionat, këtë herë duke u ndalur në shifrat 1-1 në “Niko Dovana” ndaj skuadrës së Teutës, në ndeshjen e prapambetur. Në një takim me shumë raste.
Durrsakët e Edi Martinit arritën të shënonin të parët në minutën e 24′ me anë të Ergys Peposhit, i cili me një diagonale të bukur nga brenda zone gjeti rrjetën dhe kaloi skuadrën e tij në avantazh.
Në pjesën e dytë, Partizani nisi të reagojë, por iu desh të priste deri në minutën e 75-të për të realizuar golin e barazimit. Ashtu si në derbi, ishte Albers Keko “heroi” i të kuqve, i cili shfrytëzoi maksimalisht këtë herë një top të shërbyer nga Hadroj për të barazuar shifrat.
Teuta ishte më kërkuese në vijim, por nuk arriti dot që të realizonte golin e fitores. Ekipi bregdetar mbetet i fundit në renditje edhe pas kësaj sfidë, teksa shkon në kuotën e 14 pikëve.
Dy më pak se Laçi, Erzeni dhe Kukësi. Gara për mbijetesën është tepër e fortë, teksa nga vendi i pestë tek i fundit ndahen vetëm nga një pikë. Në anën tjetër Partizani mbetet pas Egnatias kryesuese, tani në kuotën e 30 pikëve, tri më pak se rrogozhinasit.
Trajneri Arbër Abilaliaj vijon të ruajë serinë e pathyeshmërisë nën drejtimin e të kuqve, teksa kjo ishte ndeshja e nëntë si timonier i Partizanit. Ndërkohë që shkon në shtatë numri i takimeve pa fitore për Teutën./ Super Sport
Top Channel