I është dhënë sot lamtumira e fundit mjeshtrit të skenës Mirush Kabashi.
Në homazhet e mbajtura paraditen e së mërkurës në Muzeun Historik Kombëtar familjarë, miq, artistë, kolegë e politikanë thanë fjalën dhe nderimin e fundit për “Sokratin” shqiptar.
“Në ’97 ne nuk dinim ku ishim. Ai thirri regjisorin Haxhi Rama dhe kishte përgatitur nja 10-15 poezi. Uahh… Ata pastaj i kishin gjetur kohën, ishte mjeshtër. Ngushëlloj Lolën, gocat. Shpejt iku, gjynah”- tha aktori i mirënjohur Muharrem Hoxha.
“Mirush Kabashi ishte një artist dhe një shok me një vizion të gjerë për artin. Teatri që ai bënte kishte brenda edhe muzikalitetin dhe shijen për tinguillin e bukur që ilustronte”- tha artisti Zhani Ciko.
“I qetë, qofsh i lumtur në parajsë miku im i dashur”- tha aktori Luftar Paja.
“Humbëm vërtet një mjeshtër të fjalës, një njeri në nivelet më të larta të interpretimit”- tha shkrimtari Ylljet Aliçka.
“U largua si Sokrati i kësaj kohe. Me apologjinë e Sokratit shënoi kulmin e tij në skenën shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare“- u shpreh ish- kryeministri Sali Berisha.
Sipas tyre, Mirush Kabashi nuk do të shuhet kurrë, pasi ai është përjetësuar në trashëgiminë e pasur artistike. Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dhe mbeti në zemrat e shumë shqiptarëve si aktori i humorit, por edhe si një drithërues zemrash nëpërmje interpretimeve teatrale apo poezisë shqip.
“Për të ishte jeta e tij. Ai edhe në shtëpi ishte gjatë gjithë kohës duke përsëritur tekste. Herë shkëputej, na dedikonte kohë, ishte aty për ne. Me mamin ka qenë gjithmon afër. Nuk ishte njeriu kafeneve, as i lokaleve. Ishte njeriu i fjalëve të pakëta”– shpreh e bija Mendi Kabashi.
Mirush Kabashi ka gdhendur dhjetëra karaktere të papërsëritshëm në ekran e teatër, një galerie personazhesh që kujtohen dhe janë pjesë e të folurës së përditshme përmes batutave të tyre. Aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare.
Do të kujtohet gjithnjë për artin e tij dhe gjithçka dha në shërbim të tij dhe shoqërisë. Do të kujtohet edhe me shprehjen e tij “Trupin ç’e do, shpirti ka vlerë.”.
Top Channel