![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/476574594_1561487547885556_5212557754635621211_n-780x439_sd-800x450.jpg)
Interpoli ka lëshuar fletarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili akuzohet si organizator i sulmit të Banjskës më 24 shtator, ku u vra edhe polici Afrim Bunjaku.
Lajmi është konfirmuar nga burime të Kosovapress.
Muaj më parë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar edhe video nga banesa dhe vila e Radojçiç për të dhënë prova që udhëheqësi i grupit që kreu sulmin në Veri të Kosovës ishte Radojçiç.
Pas ndalimit në Beograd, gjykata atje e ndali të dilte nga territori i Serbisë ndërsa nuk kreu kurrë ekstradimin e tij në Kosovë, për t’u përballur me akuzat për sulmin e rëndë në manastirin e Banjskës. Ndërkohë Prokuroria e Lartë Publike në Beograd konfirmoi se do të apelojë vendimin e gjykatës që e liroi nga paraburgimi Radoiçiçin.
Gjatë kësaj kohe, ndaj tij është ngritur edhe një padi për terrorizëm. Autoritetet serbe e akuzojnë për blerje të armatimeve me fuqi shkatërruese nga Tuzla në Bosnje dhe Hercegovinë, nga janari 2023 deri më 24 shtator kur ndodhi sulmi në Banjskë.
Radojçiç është gjithashtu i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Britania e Madhe.
Top Channel