Ish-prokurori Eugent Beci, i ftuar në Top Story, për operacionin metamorfoza, këtë herë për verifikimin e policëve të përfshirë në veprimtari kriminale, tha se do të ketë të tjera operacione, ndërsa vetëpërjashtimin e policëve e quajti “thjesht një propagandë”.
Beci tha se provat duhet të shqyrtohen të gjitha dhe është një hetim që do duhet shumë kohë të analizohet.
“Duke iu referuar procesit normal të një çështje normale do ketë metamorfozë 3, 4 dhe 5. Përveç materialeve që vijnë nga Euro castit edhe Prokuroria e Posaçme do duhet të sigurojë dhe konfirmojë provat. Mund të ketë informacione që nuk vlejnë për çështje penale. Do një hetim i cili do dojë kohë të madhe dhe të krijojnë një dosje hetimore”, tha ish-prokurori.
Eugent Beci e quajti të çuditshëm urdhrin për vetëpastrimin e policëve, dhe se nuk mund të penalizohet një polic se ka përdorur një aplikacion, në këtë rast aplikacionin “Sky”, i cili është përdorur nga grupet kriminale.
“Urdhri që ka dalë nga ministri i Brendshëm duke iu referuar bazës ligjore, është një urdhër i çuditshëm. Në një pikë thuhet që Drejtoria e Përgjithshme AMP bashkëpunon me institucione të tjera për të ruajtur sigurinë. Është një urdhër propagandistik. Nuk mund të penalizohet edhe me një masë si duke e hequr nga puna se ka përdorur një aplikacion që është përdorur dhe nga grupet kriminale”, thotë ai.
Ish-prokurori merr si shembull një rast në Turqi, ku policët kanë denoncuar që i kanë hequr nga puna pa shkak, vetëm se kanë përdorur një aplikacion.
“Nuk mund të detyroet një qytetar, çfarë do qoftë ai, të deklarojë që ka përgjegjësi për një aplikacion që ka patur. Kjo nuk përjashton faktin që ka pasur punonjës policie të përfshirë. Por nuk është i përshtatshëm një ndëshkim kolektiv. Dëshmia është subjektive ndërsa përgjimi është një fakt”, tha Beci.
Top Channel