Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

Në edicionin e dhjetë të këtij organizimi, Kurti përgëzoi për përkushtimin Nismën e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade, duke theksuar se të drejtat e njeriut janë themeli i qytetërimit.

Sipas Kurtit, “gjithçka bëhet aq e vështirë dhe e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut, ashtu sikurse gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut.”

Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje “që të vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.”

“Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, shtoi kryeministri i Kosovës në përfundim të fjalës së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA