Nga NEDA BALLUKU – Në harkun kohor të dy javëve, Shqipëria ka humbur dy nga emrat më ikonikë të një gjenerate aktorësh që me punën e veprën e tyre shkruan histori; Zef Deda dhe Mirush Kabashi.

I pari, një komedian kalibri, i cili me talent, nuhatje e aftësi, arriti të krijojë personazhe që pasqyrojnë ende sot aktualitetin tonë.
Aktualitet me problematikat e një shoqërie si e jona që për arsye të pafundme, duket sikur ka ngecur në një tranzicion të pambarimtë, si në aspektin social, me një tendencë të përmbytjes së vlerave dhe ngritjes së antivlerave, në aspektin ekonomik, që ende sot na sjell destabilitet si për nga burimet, po aq edhe në menaxhimet e tyre dhe sidomos në aspektin kulturor, ku Shqipëria ende është në lëmin e një eksperimentimi identitetesh për të gjetur se cila, potencialisht, mund t’i përshtatet më shumë.

Mirush Kabashi, aktor i jashtëzakonshëm dhe i pagëzuar si “Sokrati shqiptar”. Populli ynë nuk vë pagëzime e nofka pa shkak. Dhe Mirush Kabashi ishte një “Sokrat” skene, sepse ishte një “Sokrat” jete.

Interpretimet e tij të mallëngjyeshme, arrinin të thyenin perden e padukshme mes tij dhe publikut shqiptar, duke e kthyer veten në një zë të gatshëm për mendim e reagim, veprim dhe interpretim, sa herë që vendi ynë gjendej në udhëkryq zgjedhjesh e zgjidhjesh. I gatshëm përherë për të thënë të tijën në formën që dinte të bënte më mirë; interpretimin.

Në këtë formë, Zef Deda e Mirush Kabashi arritën të ngrinin në piedestalin e merituar figurën e artistit. Por pa e ndarë atë asnjëherë nga fytyra e njeriut. Të ndërgjegjshëm për fuqinë e tyre ndikuese, asnjëherë nuk u kursyen në një përpjekje për të bërë ndryshimin atëherë kur lipsej më shumë dhe për të bërë reagimin atëherë kur nevojitet më fort.
Artistët nuk mund të jenë kurrsesi vetëm të vetes dhe Zef Deda e Mirush Kabashi nuk u ndjenë kurrë të tillë.

Sot të dy kanë mbyllur sytë dhe pavarësisht punës së tyre të gjithëjetshme, na kanë trashëguar një kontekst social- kulturor ndryshe nga e tyrja.

Mirëpo a jemi ne shqiptarët një publik mjaftueshëm i kultivuar për të shquar e vlerësuar aktorët e sotëm?

A kanë aktorët e sotëm të njëjtën fuqi apo ndryshimet tona politike e si rrjedhojë sociale, kanë ndikuar për ta bërë figurën e aktorit më pak të vlerësueshëm e më shumë të përdorshëm?

A janë sot fytyrat e tyre vetëm garanci për kauzat publike në rastin më të mirë dhe politike në rastin më të keq?

Të kuptohemi, artisti është dhe duhet të jetë në vetvete edhe një kafshë politike, e zhveshur nga interesi vetjak dhe në shërbim të atij publik. Madje shpesh edhe opozitar dhe me qëllime konstruktive. Por nga ana tjetër, fuqia e sistemit në lojën e uritur për pushtet, nuk kursen as kastën e artit që siç shohim çdo ditë, fatin dhe famën e kanë të lidhur ngushtë me imoralitetin e fondit dhe kush është i lirë, mbetet i panjohur dhe anonim.

*Opinioniste në programe të ndryshme argëtuese

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA