Ulja e prodhimit të barnave nga kompanitë farmaceutike në botë ka krijuar vështirësi në furnizimin e tregut ndërkombëtar me ilaçe.
Edhe Shqipëria po përballet më vështirësi dhe duke qenë një treg i vogël dhe që furnizimin e bazon kryesisht në barna të importit pritet të përballet me mungesa ilaçesh.
“Jemi bërë të gjithë bashkë që të diskutojmë problematikat që po hasim në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë që të përballojmë këtë valë, që po godet vendin tonë. Dhe një nga sfidat kryesore që po hasim sot janë tkurrja e prodhimit të barnave dhe për pasojë mungesa e barnave në treg. Shqipëria dhe jo vetëm, po e vuan këtë sfidë. Në këtë pikë, ne duam të japim kontributin tonë në mënyrë që t’i japim funksionalitet sa më të mirë shërbimit shëndetësor me pacientin në qendër të vëmendjes”, u shpreh presidenti i Unionit të Biznesit Farmaceutik, Dorian Sadiku.
Për herë të parë, përfaqësues të biznesit farmaceutik, përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe struktura në varësi të saj janë bërë bashkë për të diskutuar sesi mund të kapërcehet kjo sfidë.
“Sigurisht që tanimë ne duhet të shohim që të thjeshtojmë disa procese rregullatorë për të lehtësuar aksesimin e barnave nga pacientët shqiptarë, sepse duhet pasur parasysh që jemi tregje të vogla, duhet pasur parasysh që tregu ynë nuk është aq atraktive për kompanitë e huaja. Prandaj duhet të gjejmë format se si të bëhemi atraktive dhe t’i gjejmë pacientëve barnat e duhura“, shpjegoi Sadiku.
Në këtë takim synohet ndërtimi një platforme ndërveprimi midis aktorëve të ndryshëm të shërbimit shëndetësor dhe politikë, të mbështetur nga industria farmaceutike.
Top Channel