Tre persona janë arrestuar në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit” në Lushnjë dhe Fier.
Policia ka mundur të vërë në pranga Vladimir Halilin. 54 vjeçari, banues në Lushnjë, i cili ishte në kërkim pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”, në rrethana rënduese.
Në vitin 2020, shtetasi Vladimir Halili ka vjedhur në dy banesa në fshatin Pirrë, ndërsa në vitin 2021, grabiti një magazinë në fshatin Rrapëz.
Po ashtu, si rezultat i kontrolleve të kryera është arrestuar një 21-vjeçar me inicialet I.S., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Vlorës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”; si dhe një 39-vjeçar me inicialet M. F., banues në Fier, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” për cënim të masës së sigurisë “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel